Roveri Mars 2020, që do të niset drejt planetit të kuq, vitin e ardhshëm, nuk do të kërkojë vetëm gjurmë të jetës së hershme, por do të hapë edhe rrugën për misione njerëzore, thanë shkencëtarët e NASA-s ndërsa prezantuan mjetin.

Roveri është ndërtuar në një dhomë të madhe, sterile, në laboratorin jet propulsion në Pasadena, afër Los Angelesit, ku pajisjet u testuan me sukses javën e shkuar.

Roveri u prezantua para gazetarëve të ftuar në një ceremoni dhe pritet të lërë tokën në korrik 2020 nga Cape Canaveral në Florida, duke u bërë i pesti Rover amerikan që do të ulet në mars.

Ai është i projektuar të kërkojë shenja jete, por është i pajisur edhe me një seri instrumentash që do të ndihmojnë në kuptimin e përmbajtjes gjeologjike dhe kimike të sipërfaqes së marsit.

Roveri është i pajisur me 23 kamera, dy ‘veshë’ që do ta lejojnë atë të dëgjojë erërat marsiane si edhe lazera të përdorur për analiza kimike. Duke patur përmasat e një makine, Roveri është i pajisur me gjashtë rrota, si paraardhësi i tij Curiosity, që i lejon të udhëtojë edhe në terrene shkëmbore.

Shpejtësia nuk është një prioritet për mjetin ndërkohë që ai do të ushqehet nga një reaktor bërthamor në miniaturë. Ai ka edhe krahë, me të cilët mund të gërmojë dhe të kapë kampionë në vende që shkencëtarët do ti identifikojnë si të përshtatshme për jetë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA