Skuadrat e kategorisë Superiore e kanë ndërprerë aktivitetin për festat e fundvitit, por drejtuesit vijojnë punën për të bërë ndryshimet më të përshtatshme në sesionin dimëror të merkatos së transferimeve.
Lëvizjet e futbollistëve janë në plan të parë, por edhe çështja e trajnerëve ka rëndësi.
Kështu, Tirana duket se ka marrë vendimin e saj përsa i përket pankinës. Emmanuel Egbo duket se do të qëndrojë në postin e trajnerit të kryeqytetasve deri në fund të sezonit. Egbo zëvendësoi në stol Julian Ahmataj dhe Tirana në drejtimin e tij fitoi 3 ndeshje radhazi mes të cilave edhe derbin e kryeqytetit me Partizanin.
Ndërkaq, skuadra e Teutës është një prej skuadrave që ka larguar futbollistë nga radhët e saj. Klubi durrsak zyrtarizoi nëpërmjet platformat e saj zgjidhjen në mënyrë konsensuale të mesfushorit Darko Nikac dhe sulmuesit Roni Gashi. Në komunikatën e saj, Teuta falenderoi lojtarët për kontributin e tyre duke i uruar edhe suksese.
Mësohet se largime ka edhe te Skënderbeu. Bëhet fjalë për Marlind dhe Rei Nuriu të cilët u bashkuan me klubin korçar në muajt e verës, por që gjatë kësaj pjese të parë të sezonit nuk gjetën shumë hapësira në fushën e lojës te skuadra e drejtuar nga Ilir Daja.
Top Channel