Telekomi i Kosovës nëpërmjet një komunikate për media akuzon ministrin në detyrë të Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka për rrezikim të sigurisë nacionale.

Sipas komunikatës ministri Lluka përveq që nuk e ka përkrahur Telekomin e Kosovës ai edhe e ka dëmtuar imazhin e kësaj kompanie publike.

“Ministrit Lluka çdo herë dhe në çdo takim të mundshëm i janë rikujtuar problemet dhe pasojat e mundshme nga neglizhenca dhe mospërkrahja e duhur për kompaninë tonë, në kohën kur kemi pasur nevojë më së shumti për bashkëpunim reciprok dhe adresim të qartë të vendimmarrjeve në të dobi të stabilitetit teknik, financiar dhe social për Telekomin e Kosovës.

Në vend të kësaj përkrahje të munguar, ministri Lluka për arsye që vetëm ai i dinë, në shumë raste e ka dëmtuar imazhin e Telekomit të Kosovës me deklaratat e tij për falimentim të ndërmarrjes, deklarime këto që nuk do të duhej të përfaqësonin qëndrimin parimor dhe logjik të Aksionarit, në këtë rast Qeverisë së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Sipas Telekomit prapavija e deklarimeve të tilla nga ministri Lluka edhe sot mbetet e panjohur dhe e pasqaruar.

“Dhe, në të njëjtin kohë vendimi për mosekzekutim të mjeteve të ndara të Qeveria e Kosovës, ministri Lluka e forcon edhe më tepër bindjen tonë se me vendimet e tij po e dëmton qëllimshëm dhe për interesa të tij afarizmin e Telekomit të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Deklarimet e ministrit Lluka për qëllime e tij tendencioze, sipas Telekomit, jo vetëm që kanë stagnuar operimet normale të kompanisë sonë, por me veprimet e tilla po rrezikon edhe sigurinë nacionale duke vështirësuar operimin edhe institucioneve të sigurisë kombëtare, siç janë Policia e Kosovës, AKI, KFOR-i, Shërbimi i Zjarrfikësve, Shërbimi i Emergjencës, Kulla e Aeroportit.

“Ne gjatë gjithë kësaj kemi kërkuar përkrahje nga ky ministër për të na mundësuar dhe lehtësuar procedurat e finalizimit të procesit të marrjes së një garancioni bankar për t’i financuar projektet më të rëndësishme për Telekomin e Kosovës, siç janë projektit për implementimin e Kodit Shtetëror, Ligjit për Përgjim si dhe mirëmbajtjen e tërësishme të platformave teknike”, thuhet në komunikatë./KosovaPress/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA