Dhomat Noteriale te Rajonit donacion përmes e-Albanias në lehtësimin e pasojave të tërmetit

27/12/2019 17:15

Në listën e gjatë të donatorëve, që kanë kontribuar përmes e-Albania për t’u ardhur në ndihmë familjeve të prekura nga tërmeti i fortë që goditi vendin një muaj më parë, janë edhe një pjesë e Dhomave të Noterëve së rajonit.

Respektivisht Dhomat e Noterëve të Kosovës dhe Shqipërisë kanë dhuruar nga 10 mijë euro secila, Dhoma e Noterëve të Malit të Zi 3 mijë euro dhe ajo kroate 4 mijë euro. Shumë shpejt pritet që në këtë listë të përfshihen Hungaria dhe Maqedonia e Veriut, duke e çuar në 6 numrin e Dhomave donatore.

Aktualisht shuma e mbledhur nga kontributet e ofruara përmes kartave të debitit ose kreditit përmes kanalit zyrtar të qeverisë e-Albania ka arritur në 64,918,211 lekë, të dhuruara nga 6,149 donatorë. Donacionet kanë shkuar drejt llogarisë së Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, me qëllim që kontributi i secilit donator të përdoret me efektivitet nga Emergjencat Civile, në ndihmë të të dëmtuarve nga tërmeti.

Së shpejti në Shqipëri veprimet noteriale do të transformohen në digjitale falë platformës elektronike NISA, duke ofruar siguri, saktësi dhe ulje të fenomentit korruptiv.

E hartuar në bazë të eksperiencës së dhomave noteriale të vendeve më të zhvilluara europiane, sikurse Gjermania, platforma NISA (Notarial Information Systems of Acts), duke kaluar nëpërmjet Platformës së Ndërveprimit pranë AKSHI-t me qëllim ndërveprimin me mbi 49 databaza shtetërore për të siguruar automatizimin maksimal të punës së Noterit, duke përfshirë këtu edhe Regjistrin Noterial Shtetëror pranë Ministrisë së Drejtesisë, ka si synim integrimin edhe të nënshkrimit elektronik, duke eliminuar mundësinë e manipulimit të tyre dhe duke bërë transparencën e plotë të çdonjërit prej akteve që futen në sistemin elektronik.

Dhoma Kombëtare e Noterisë duke vlerësuar maksimalisht platformën garanton publikun se me këtë hap formalizohet sistemi i noterisë në Shqipëri, duke e shndërruar atë, në të matshëm, të kontrollueshëm, me ndërveprim në kohë reale dhe në shërbim të qytetarit.

Ky zhvillim inovativ pritet që jo vetëm të sjellë reduktimin e radhëve nëpër sportelet fizike të Hipotekës apo zyrave të automjeteve, të eliminojë mundësinë e mbifaturimit për shërbimet noteriale, por që t’i ofrojë publikut akses në arkivin elektronik të akteve noteriale në kohën që ai vetë zgjedh.

Dhoma Kombëtare e Noterisë është duke nënshkruar marrëveshjet respektive të bashkëpunimit me institucione si Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Posta Shqiptare, Drejtoria e Përgjithshme te Tatimeve, si dhe Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.

Sistemi është teknikisht gati dhe pritet që të dalë në përdorim Live pas nxjerrjes së akteve nënligjore nga Ministria e Drejtësisë gjatë muajit Janar të vitit 2020.

Top Channel