Këtë vit kanë humbur jetën 11 persona në vendin e punës, ndërsa në vitin 2018, numri i të vdekurve ishte 22.
Sektori më i goditur për mungesë të sigurisë dhe shëndetit në punë për këtë vit ka qenë sektori i energjisë elektrike.
Kjo dukuri mbetet shqetësuese, por sipas Valon Lecit ushtrues detyre i kryeinspektorit të Punës theksoi se janë të angazhuar si Inspektorat që të ketë siguri dhe shëndet në vendet e punës. Leci në konferencën për media të fundit për këtë vit, theksoi se përkundër sfidave dhe numrit të vogël të inspektorëve, janë realizuar mbi 10 mijë inspektime ose 500 më shumë se në vitin e kaluar.
“Këtë vit kemi një lloj paradoksi, sepse kemi 11 persona të cilët kanë humbur jetën në vend të punës. Po them paradoks, sepse është lajm shumë i keq kur ne kemi 11 persona që kanë humbur jetën në vend të punës, por është lajm shpresëdhënës, sepse kemi 50 përqind të vdekur më pak se sa vitin e kaluar. Vitin e kaluar i kemi pasur 22 persona që kanë humbur jetën në vend të punës… Ne shpresojmë që në vitet e ardhshme do të zbresim në zero. Pra, targeti ynë është që të kemi zero aksidente me fatalitet në vend të punës”, theksoi Leci.
Sipas tij, Inspektorati i Punës ka lëshuar 240 gjoba në vlerë deri në 40 mijë euro, megjithatë, Leci nuk ka treguar emrat e kompanive të ndëshkuara, sipas të cilit nuk dëshiron që t’i pengojë në të bërit biznes.
“Kemi gjoba që janë variabile, pra varësisht prej shkeljeve që janë bërë. Qëllimi i inspektoratit nuk ka qenë dhe as nuk është madje as nuk do të mbetet shqiptimi i gjobave, sepse gjoba nuk është mjet i cili bën ekuivalencën me pasojën që është shkaktuar diku. Ne sado që do ta gjobitim një subjekt nuk është që e bëjmë ekuivalencën me vdekjen në vendin e punës, sepse jeta e njeriut nuk është diçka që matet me gjobën. Megjithatë gjobat kanë efekt vetëdijesuese… Për subjekt të cilat i kanë shkel ligjet, me emra nuk rekomandoj me dhënë, sepse të gjitha palët që kanë qenë kontest kanë marrë vendimet individualisht. Nuk dua t’i bëj pengesa në të bërit biznes. Këto janë dokumentet që i kanë palët, por që unë nuk dua t’i bëjë publike”, theksoi ai.
Për këtë vit, Leci theksoi se është arritur të legalizohen 1800 vende të punës, të cilët kanë punuar pa kontrata pune. Leci tha në fund se ka pasur numër të madh të ankesave në Inspektorat të cilat janë trajtuar me mijëra prej tyre./I. Shabani/kosovapress
Top Channel