Dy prokurorët Vladimir Mara dhe Dritan Prençi do të bëhen pjesë e ekipit të Prokurorisë së Posaçme SPAK duke e çuar numrin e prokurorëve antikorrupsion dhe kundër krimit të organizuar në dhjetë prokurorë.

Ky ndryshim vjen pak ditë pasi Prokuroria e Posaçme SPAK ka nisur nga puna e gjithashtu menjëherë sapo kryeprokurori i SPAK, Arben Kraja ka vënë në dijeni Këshillin e Lartë të Prokurorisë për caktimin e përkohshëm të dy prokurorëve Prençi dhe Mara, ish-prokurorë të Krimeve të Rënda dhe aktualisht të caktuar si prokurorë pranë akuzës së kryeqytetit.

Sikurse bëjnë me dije burime të Top Channel, fillimisht kryeprokurori Kraja ka vënë në dijeni akuzën e kryeqytetit për vendimin  e tij dhe për caktimin e përkohshëm të dy prokurorëve pranë strukturës së posaçme  që do të hetojë korrupsionin në nivele të larta si dhe krimin e organizuar. Menjëherë pas vënies në dijeni edhe të qeverisë së prokurorisë, pritet që brenda pak orësh, kryeprokurori i SPAK të caktojë përkohësisht në këtë detyrë, dy prokurorët që më herët kanë shërbyer si prokurorë të Krimeve të Rënda dhe kanë patur nën hetim çështje të bujshme si ajo e emëruar si çështja “339” por edhe çështja e trafikimit të qenieve njerëzore drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat sikurse kuptohet do t’u kalojnë sërish Marës dhe Prençit nën hetim.

Nga ana tjetër, burime të sigurta konfirmojnë për Top Channel se Prokuroria e Përgjithshme ka caktuar përkohësisht në detyrë katërmbëdhjetë oficerë të policisë gjyqësore që më herët kanë shërbyer si OPGJ pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ata do ta vazhdojnë këtë detyrë derisa të ngrihet dhe të funksionojë Byroja Kombëtare e Hetimit si dhe të zgjidhet drejtuesi i saj, për të cilin drejtuesi i SPAK ka nisur procedurat, por sidoqoftë  duhet ende kohë derisa të kemi BKH-në.

Top Channel