Musfata reagon pas mesazhit të Albin Kurtit: Ne jemi për negociata

26/12/2019 00:53

Pas mesazhit të Albin Kurtit reagoi Isa Mustafa i cili tha se për të negociatat akoma nuk kanë dështuar.

“Negociatat nuk kanë qenë të lehta dhe partneri në tavolinë, Lëvizja Vetëvendosje, në disa raste, i ka shpërfillur rregullat për të cilat kishim rënë dakord.Të tillë e kam parë VV-në edhe me video-mesazhin e Kryetarit Albin Kurti. Për LDK-në dhe për mua, negociatat nuk kanë dështuar. Ka dështuar strategjia e Vetëvendosjes për ta siguruar para publikut epitetin e palës parimore dhe xheneroze në negociata dhe për t’ia hedhur fajin LDK-së”, thotë Mustafa.

Sipas tij, asnjë prej kërkesave tona nuk mund dhe nuk duhet të trajtohet si kërkesë ndaj Vetëvendosjes, për shkak se Vetëvendosja nuk i ka fituar të gjitha përgjegjësitë, ajo ka fituar rreth 1/4 e votave dhe jo më shumë, dhe pothuajse aq ka fituar dhe LDK-ja. “Prandaj, kërkesat tona kanë konsistuar dhe do të konsistojnë në ndarjen e balancuar të përgjegjësive, konform rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit. Mandatin në 6 tetor, për një deputet më shumë se LDK-ja, Lëvizja Vetëvendosje, e ka marrë për ta larguar PAN-in, e jo për ta sfiduar LDK-në”, thotë Mustafa.

“Ne mendojmë se ndarja e balancuar e përgjegjësive, konform rezulatit të zgjedhjeve, rezulton në këtë formulë, Kryetari i Kuvendit, Presidenti, kur të mbetet pozita e lirë, dhe gjysma e qeverisë duhet t’i takojnë LDK-së, nëse Vetëvendosje dëshiron mbështetjen e LDK-së për t’ia besuar asaj drejtimin e ekzekutivit dhe gjysmën e Qeverisë”, shton ai.

Ndryshe për LDK-në, marrëveshja do të ishte e pabalancuar dhe nuk do të siguronte stabilitet qeverisës, as funksionim demokratik të institucioneve kryesore.

“Vetëvendosja ka filluar ta kuptoje këtë dhe shpresoj që në ditët në vazhdim, do të ulemi dhe do t’i definojmë të gjitha aspektet.

E drejta dhe detyrimi kushtetues i takojnë të parit, ashtu si dhe përgjegjësi për te gjetur zgjidhje dhe për t’i ndërtuar institucionet e reja. Ne jemi gati për negociata”, përfundon Isa Mustafa në reagimin e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA