Nëse projektligji për amnistinë votohet, parashikohet që 200 të dënuar do të lënë qelitë dhe do ta nisin 2020 jashtë burgut.

Veç 26 grave që do ta lënë burgun Ali Demi, Top Channel mëson nga burime jo zyrtare se pritet që nga amnistia të përfitojnë 150 të dënuar meshkuj, shumica e të cilëve janë shpallur fajtorë për kultivim hashashi.

Nga amnistia përfitojnë gjithashtu edhe të dënuarit për ndërtim të paligjshëm si edhe drejtim mjeti në gjendje të dehur. Por kreu i shoqatës së avokatëve penalistë, Saimir Visha e konsideron diskriminuese këtë amnisti si edhe të vonuar, pasi sipas avokatit duhej që projektligji të kishte kaluar para festave të fundvitit.

Saimir Visha:

Unë mendoj që të gjithë subjektet apo faktorët, komisioni i ligjeve duhet të na pranojë në tavolinë për të dhënë mendime tona sepse deri në këto momente nuk jemi afruar, një amnisti duhet të përfshijë të gjithë të dënuarit dy vite dënimi e poshtë.

Nuk ka amnisti në qoftë se do të flasim për kultivim të bimëve narkotike  dhe të flasim për burg të strukturuar kriminal mos të përfitojë ndërkohë që për të njëjtat vepra një person tjetër që është dënuar në një gjykatë të rretheve gjyqësore ka.

prandaj them që është diskriminuese dhe ka vend që edhe parlamenti shqiptar… u bëj thirrje të gjithë deputetëve të Shqipërisë të votojnë për një amnisti gjithëpërfshirëse.

 

Në burgje aktualisht mbahen 5159 të dënuar dhe të paraburgosur, prej të cilëve kryesojnë të akuzuarit për drogë me një shifër prej 1568 persona. Saimir Visha kërkon humanizmin e shtetit duke e lidhur edhe me gjendjen e emergjencës së pjesshme të shpallur për shkak të tërmetit.

Visha:

Kjo do jetë një shkak më shumë për ti dhënë edhe humanizmit të shtetit ndaj kësaj kategorie. Momenti kur bie një tërmet të gjithë qytetarët vrapojnë të dalin përjashta i burgosuri është në katër muret e paraburgimit ose të burgimit.

 

Që prej vitit 2016, atëherë kur PS dhe LSI ishin aleatë, politika nuk ja ka dalë mbanë të bëhet bashkë për sa i takon miratimit të projektligjit për amnistinë, çka ka sjellë ngrirjen e një tradite për festat e fundvitit në të cilën shteti me amnisti dhe presidenti me falje, tregojnë humanizmin edhe ndaj shtetasve në sistemin penitenciar.

/Anila Hoxha/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA