Gjykata e Apelit la në fuqi pezullimin nga detyra të një mësueseje e njëherazi drejtoreshë shkolle, dyshuar se shpërdoroi detyrën duke falsifikuar akte jo vetëm për shkollim fiktiv të disa gjimnazistëve, por edhe të praktikës së mësuesve. 

Nga kërkimet e Prokurorisë rezulton se Valentina Meçe, drejtoreshë në shkollën e mesme “Qemal Bazelli” në Çërravë të Pogradecit, dyshohet se konfirmoi praktikën si mësuese dy shtetaseve, në të njëjtën kohë kur ato jetonin në Tiranë dhe punonin njëra në një kazino e tjetra në restorant.

Këto të dhëna janë përftuar nga hetimi në kryeqytet mbas këqyrjeve të sistemit DeepSE, theksoi përfaqësuesi i akuzës. Edhe pse drejtoresha këmbëngul se mungesën e praktikanteve duhet ta verifikonin mësueset mentore, këto të fundit kundërshtojnë se firmosën nën presionin e shefes.

Çështja u referua në Prokurori përmes postës ku dhe kallëzohej se drejtoresha kishte regjistruar nxënës fiktivisht që ndiqnin shkollën, edhe pse ata nuk jetonin ndërkohë në Shqipëri.

Në denoncim përmenden emrat e 5 personave që pretendohet se jetojnë jashtë vendit, por ndërkohë në regjistra rezultojnë se frekuentojnë përditë gjimnazin e Çërravës.

Kjo e dhënë është ende nën hetim. Ndërkohë që Prokuroria përmend se ka zbuluar se si një i ri frekuentoi gjimnazin e Çërravës vetëm për dy javë, në një kohë që në një shkollë tjetër raportohej se e kishte braktisur mësim-nxënien.

Në dëshmi mësuesit i rrëfejnë Prokurorisë se drejtoresha u kishte treguar një praktikë shpërnguljeje nga shkolla “Gjergj Pekmezi”, edhe ajo nën hetim tanimë.

Top Channel