Dhjetëra fëmijë ju bashkuan në Gjirokastër spektaklit të Cirkut të Tiranës. Të vegjlit nga shkolla të qytetit dhe rrethinave u bënë pjesë e lojës së animatorëve dhe akrobatëve ndërsa kanë pozuar edhe me personazhet e tyre të preferuar.

Shfaqja e cirkut e vendosur në sheshin kryesor të zonës historike ka përcjellë momente surprize dhe zbavitje në qytetin ku cirku dhe teatri i kukullave mungon prej disa dekadash.

Vetë përfaqësuesit e cirkut të Tiranës thanë se udhëtimi në qytetet e Shqipërisë për të dhënë shfaqje në sheshe për fëmijët i ka motivuar për të qenë një trupë e hapur dhe se ky është vetëm fillimi i një tradite e jo vetëm për fundvitin.

Bashkia e Gjirokastrës ka uruar gjatë shfaqjes fëmijët me rezultate të larta në mësime ndërsa kreu Flamur Golemi tha se sapo është miratuar një fond që do të mbështesë me shpërblim financiar nxënësit ekselentë.

Gjirokastra ka festë çdo mbrëmje këtë fundviti por aktivitetet këtë vit po krijojnë hapësirë zbavitjeje edhe për fëmijët.

Top Channel