Kongresi i Durrësit ishte mbledhje e përfaqësuesve të Shqipërisë e mbajtur në Durrës, për të siguruar pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore pavarësinë, tërësinë territoriale dhe vazhdimësinë e shtetit shqiptar. Kongresi i zhvilloi punimet nga 25 deri më 27 dhjetor 1918.
Morën pjesë mbi 50 delegatë. U zgjodh një qeveri e përkohshme me 14 anëtarë. Kongresi vendosi të formohej edhe një Pleqësi (senat), si organ këshillues i qeverisë. Delegatët e mbledhur në Kongresin e Durrësit u shprehën për ruajtjen e pavarësisë e të tërësisë territoriale të shtetit shqiptar, për rishikimin e kufijve të 1913-ës në favor të tij dhe për t’ia paraqitur këto kërkesa Konferencës së Paqes.
Lëvizjet për mbledhjen e krerëve shqiptarë ishin shfaqur që në fillim të tetorit. Por në organizimin e shqiptarëve në Itali ishin duke u përgatitur si Mehdi Frashëri, Mustafa Kruja, të cilët ishin të orientuar nga politika italiane.
Këta i kërkonin më 6 tetor 1918 “Vatrës” të dërgonin në Itali përfaqësuesit e tyre, për të përcaktuar atë platformë të përbashkët politike, me të cilën do të dilnin përpara Konferencës së Paqes. Ndërsa Mehmet Konica arriti në Romë më 19 nëntor, i pritur me ngrohtësi nga italianët. Ndërkaq, qeveria italiane kishte hequr dorë nga mendimi, që kishte në fillim, për të lejuar formimin e një qeverie shqiptare. Ndërkaq, shqiptarët që erdhën nga Roma për në Shqipëri ishin të këshilluar të formonin jo një qeveri, por një këshill ose komitet kombëtar.
Ky komitet nuk duhej të bënte një politikë të pavarur as brenda vendit as jashtë tij, por duhej të gjente një vegël në duart e politikës italiane. Në fund të nëntorit 1918 u aprovua formimi i këshillit kombëtar i ideuar nga Gaetano Manconi, duke porositur që këshilli të formohej sa më parë në Durrës me persona shqiptarë që të jenë njerëzit tanë dhe me autoritet në të gjithë Shqipërinë e pushtuar prej nesh me përjashtim të Vlorës dhe të hinterlandit të saj. Por në të dyja rastet, si një qeveri po edhe një këshill, për t’i formuar këto organe duhej të mblidhej kongresi kombëtar.
Mehmet Konica, Myfit Libohova, Mehdi Frashëri u nisën në Shqipëri në fund të dhjetorit 1918, të shoqëruar nga koloneli Etore Lodi, i cili do të kryente detyra politike si gjatë kongresit ashtu edhe më vonë.Faza e përgatitjes brenda vendit për Kongresin e Durrësit u shoqërua me iniciativën për mbledhjen e një kongresi në Shkodër, por ishte francezi B. Furto që nuk lejoi mbajtjen e tij. Kjo mbledhje u arrit të bëhej në Lezhë më 9 dhjetor 1918, e cila u organizua nga klerikë katolikë dhe nga kryetari i bajraktarëve të Mirditës, Prênk Bibë Doda. Por si një lëvizje e cila përfshinte vetën Shqipërinë e Veriut nuk kishte gjetur mbështetjen e pjesës tjetër.
Një përpjekje tjetër ishte ajo e Tiranës, që u mbajt më 19 – 20 dhjetor, në të cilën morën pjesë vetëm përfaqësues nga disa krahina të Shqipërisë së Mesme. Por kjo lëvizje politike u shkri në Kongresin e Durrësit, organizuesit e të cilit kishin marrë qysh më parë miratimin e Italisë.
Ky kongres u hap në pasditen e 25 dhjetorit 1918 me pjesëmarrjen e 53 delegatëve. Ata vinin nga pjesa më e madhe e vendit, e cila ishte nën pushtimin e Italisë. Por në kongres nuk merrnin pjesë nga qyteti i Vlorës, sepse autoritetet italiane kishin marrë udhëzime nga Roma që të mos njiheshin delegatët e këtij qyteti. Në kongres mungonin edhe përfaqësuesit e krahinës që ishin nën pushtimin serb, Peshkopia e Lumës dhe as ata që ishin nën pushtimin francez, si qyteti i Korçës.
Këta kanë qenë faktorët të cilët bënin të mundur elektrizimin e zhvillimeve në Kongresin e Durrësit. Por në Durrës nuk kishin ardhur vetëm delegatët, por edhe shumë figura të tjera politike. Ja si e pasqyron gazeta “Agimi”, “Në kongres arritën të bënin propozime dhe të merrnin fjalën edhe njerëz të cilët nuk figuronin në listën e personave që kishin mandatin e të deleguarit”. Por përfaqësuesit e Durrësit, pa kaluar ende në diskutimin e rendit të ditës, shprehën shqetësimin edhe për mungesën e pjesëmarrjes së delegatëve e të gjitha krahinave të Shqipërisë. Delegatët, që në fillim të punës shfaqën besim ndaj fituesve të luftës, duke e shoqëruar me një përshëndetje e në mënyrë të veçantë Wilsonit, “i cili kishte shpallur parimet e vetëvendosjes së popujve”.
Por në kongres u shfaq dhe mundësia e një shprese që ishte tek Italia, e cila gjatë tratativave të paqes mund të kishte interes të mbështeste kërkesat territoriale të Shqipërisë. Nëpërmjet kujtimeve të Myfit Libohovës del se Mehmet Konica në Kongresin e Durrësit kishte prezantuar propozimin italian për formimin e një komiteti përmbarues, i cili do të përpiqej për dërgimin e një delegacioni shqiptar në Konferencën e Paqes dhe do të vepronte brenda vendit “sigurimin e jetës kombëtare e politike të popullit shqiptar”. Por, nga ana tjetër, Mehmet Konica përkrahu propozimin e Namik Delvinës dhe Riza Danit për krijimin e një qeverie të përkohshme.
Formimi i qeverisë së re Ai në kongres u shpreh se formimin e qeverisë duhej ta pranonte edhe Roma, “duke shpresuar se ajo më në fund do të pranonte formimin e saj”. Ndërsa disa delegatë të tjerë deklaruan se qeveria ishte dëshira e popullit shqiptar dhe nuk kishte rëndësi nëse ajo do të pranohej nga Italia”. Më pas u kaluan në diskutimin rendit të ditës. Kongresi nuk e pranoi pikën e parë, e cila parashikonte formimin e një komiteti, i cili në bazë të procesverbalit kishte dy detyra. E para, të dërgonte një delegacion shqiptar në Konferencën e Paqes dhe e dyta, të sigurohej jeta politike kombëtare e popullit shqiptar. Por delegatët vendosën formimin e një qeverie të përkohshme, e cila ishte një vendim i pavarur dhe sfidues kundrejt diplomacisë së Romës.
Ai ishte një vendim i suksesshëm, edhe për sa i përket situatës brenda vendit, pasi nuk ishte shumë e vështirë që qoftë Italia, qoftë Esad Toptani të bënin të mundur nxitjen e shtresave të caktuara shqiptare, të cilat ishin pa një vizion të qartë. Në mëngjesin e 26 dhjetorit, Konica i paraqiti promemorien nënkolonelit E. Lodit, duke argumentuar formimin e qeverisë, së pari me rëndësinë që kishte ajo për të zhvleftësuar ndonjë përpjekje të mundshme të Francës dhe të shteteve ballkanike për thirrjen e delegatëve të Esad Toptanit në Konferencën e Paqes.
Argumenti i dytë kishte të bënte me faktin se për popullin shqiptar ishte më efektiv pushteti i një qeverie dhe jo i një komiteti, i cili do të ishte “vetëm një institucion i pafuqishëm dhe qesharak”. Përfaqësuesit e kongresit, vendimin e tyre nuk e kishin të vështirë për ta mbrojtur edhe përpara nënkolonelit italian E. Lodit, i cili në telegramin që i dërgonte Romës i quante këta si një “rrymë e fortë”. Me gjithë përpjekjet e tij për të emëruar vetëm një komitet ekzekutiv me karakterin e një delegacioni, për të shprehur dëshirën e kombit shqiptar, ishte për t’u parashikuar sipas tij “që rryma e mësipërme do të mbizotëronte”.
Prandaj edhe pikëpamja e delegatit V. Dilos, që kongresi të mos vepronte në mënyrë të pavarur, sepse kjo lëvizje politike mund të çonte në prishjen me mikun e vetëm që kishte Shqipëria me Italinë, por të qëndronte në rendin e tij të ditës.
Ndërhyrja italianePra, të zgjidhte vetëm një këshillë. Ai këtë pikëpamje e argumentonte me idenë se dyshonte nëse populli shqiptar, te i cili do të mbështetej kjo qeveri, kishte arritur në atë shkallë zhvillimi sa të derdhte gjakun për atdheun”. Por shumë nga përfaqësuesit e kombit shqiptar që ishin në kongres, megjithëse ishin për mbrojtjen e një fuqie si Italia, atyre u duhej për forcimin e një pushteti politik, për të siguruar këtë pushtet si ndaj forcave të brendshme, ashtu edhe ndaj ndonjë kërcënimi të jashtëm. Për rrjedhojë, edhe të këtyre forcave ngritja e një komiteti nuk ishte me interes.
Kështu, propozimi për të ndryshuar vendimin e ditës nga qeveri në komitet, nuk gjeti terren për t’u mbështetur. Duhet theksuar se midis atyre ishte dhe Myfit Libohova me orientim të dukshëm pro italian. Të njëjtin pozicion politik mbajti dhe Mehmet Konica si kryetar i kongresit, i cili që në fillim të hapjes së seancës së dytë bëri deklaratën e vendimit për formimin e qeverisë së përkohshme. Për këtë ishte njoftuar dhe Roma nëpërmjet komandës italiane dhe pritej përgjigjja e saj. Ndërsa kërkesa e shumë delegatëve ishte se nuk kishin ardhur në kongres të prezantoheshin si “kukulla”, që donte të thoshte të gjykonin dhe të vepronin sipas porosive të të tjerëve, por të mendonin për “dëshirën e vullnetin e popullit, i cili po kërkon me një zë vetëqeverim dhe padurim, dëshiron liri”. Përbërja e qeverisë u propozua që në seancën e parë, në kohën që u kërkua dh formimi i saj.
Qeveria u formua nga 14 anëtarë, ndërsa kongresi përcaktoi edhe delegatët për në Konferencën e Paqes, anëtarët e të cilit do të përbëheshin nga e gjithë qeveria. Ndërsa kryetari i qeverisë u zgjodh Turhan Pasha, gjë e cila duket edhe nga përmbajtja e telegramit të E. Lodit, që i dërgonte Romës, ku e njoftonte se mbledhja e Durrësit kishte vendosur.Formimi i qeverisë dhe delegatët për në Konferencën e PaqesPërfundimisht, formimin e qeverisë së përkohshme me Turhan Pashën në krye dhe delegatë do të ishin Luigj Bumçi, Mehmet Konica, Mihal Turtulli, Midhat Frashëri. Lufta politike brenda dhe jashtë kongresit solli njëkohësisht shfaqjen e pikëpamjeve përkatëse, pjesa dërrmuese e tyre ishin me orientim italian, si Myfit Libohova, Turhan Pasha, Prênk Bibë Doda, Sami Vrioni, Luigj Bumçi. Ndërsa, kundërshtarët ishin Mehmet Konica, Mihal Turtulli, Mithat Frashëri, të cilët ishin më të paktë në numër, por që anonin nga Shte tet e Bashkuara të Amerikës ose nga ndonjë fuqi tjetër “e painteresuar” direkt për Shqipërinë. Këto qëndrime dhe pikëpamje nuk u shfaqën gjatë punimeve të kongresit, kjo për faktin se këto figura të spikatura të politikës shqiptare kishin rënë në një kompromis të heshtur, sepse qëllimi kryesor i tyre ishte formimi i qeverisë. Një rol të veçantë në përpunimin e programit kishte Mehmet Konica.
Kongresi hartoi një program politik të përgjithshëm. Aty shprehej ruajtja e pavarësisë, tërësia tokësore e shtetit shqiptar dhe për rishikimin e kufijve të vitit 1913. Për çështjen që lidhej me statusin juridik të këtij shteti dhe animi politik ndaj njërës apo tjetrës fuqi fituese, për të cilin kishte mosmarrëveshje, ata vepruan në mënyrë të heshtur dhe në kompromis me njëri-tjetrin. Ky program kishte në themel mbrojtjen e të drejtave në Konferencën e Paqes nga qeveria e Durrësit, kërkimin e kufijve etnikë të Shqipërisë, mbajtja e qetësisë brenda vendit. Programi përbënte një hap përpara në lëvizjen kombëtare shqiptare, por duhet vlerësuar në kushtet kur Shqipëria gjendej e pushtuar nga ushtritë e huaja dhe nën trysninë e copëtimit nga fqinjët e saj. Në këtë pikëpamje, studiuesit e kësaj periudhe, ndonëse e vlerësojnë pozitivisht Kongresin e Durrësit, nuk kishin bërë ndonjë koment ose vlerësim lidhur me programin e qeverisë. Mendimi i historisë shqiptare pas luftës ka mbajtur një qëndrim kritik kundër mbështetjes që i dha “Vatra” kompromisit me Italinë lidhur me formimin e qeverisë së Durrësit.
Por, duke bërë një studim të kujdesshëm të periudhës në të cilën u arrit kjo marrëveshje, duket se ky qëndrim është i drejtë. Ky konkluzion rrjedh si rezultat i ndryshimit të kushteve të Shqipërisë në përfundim të luftës, parë nëpërmjet disa faktorëve. Si prishja e ekuilibrave politikë në Ballkan, si rezultat i shpërbërje së Perandorisë Austro-Hungareze dhe humbjes së luftës.
Nga ana tjetër, monarkitë fqinje kishin dalë fituese të luftës dhe në kohën që Fuqitë e Mëdha si Anglia, Franca ishin duke mbështetur ambiciet e tyre për t’u zgjeruar në kushtet kur ishte në fuqi traktati i fshehtë i Londrës i prillit 1915. Por, nuk duhet harruar që Shqipëria ishte ende e pushtuar nga shtetet fituese dhe ushtritë e tyre nuk largoheshin nga tokat shqiptare dhe mbas përfundimit të luftës. Kjo periudhë përbënte vështirësi dhe rreziqe serioze për lëvizjen kombëtare shqiptare, e cila ishte në prag të përfaqësimit të Shqipërisë në Konferencën e Paqes së Parisit.
Top Channel