Shqiptarët shpenzuan mbi 1.2 miliardë euro për turizëm dhe udhëtime jashtë shtetit në 9 muajt e parë të këtij viti. Të dhënat janë bërë publike nga banka e Shqipërisë në bilancin e fundit të pagesës.

Sipas bankës, për periudhën janar shtator të këtij viti, shqiptarët shpenzuan plot 1 miliardë e 224 milionë euro për udhëtime jashtë Shqipërisë, pjesa dërrmuese e të cilave kanë qenë shpenzime për turizëm.

Të dhënat tregojnë se krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar shpenzimet për turizëm jashtë shtetit janë rritur me 10.3 për qind ose 115 milionë euro më shumë.

Shifra që shqiptarët shpenzojnë për pushime jashtë është rritur me ritme të larta nga viti në vit. Sipas të dhënave nga konfederata greke e turizmit, vitin e kaluar pushuesit shqiptar shpenzuan 236 milionë euro vetëm në Greqi.

Sipas konfederatës së turizmit aktualisht në Greqi shkojnë mbi 1 milionë shqiptarë në vit për pushime dhe shifra rritet nga viti në vit. Por Greqia është vetëm njëri nga destinacionet, ku shqiptarët udhëtojnë për pushime. Paralelisht vende të tjera të preferuara janë Turqia, Italia, por edhe shtetet e tjera të Bashkimit Europian.

Me gjithë rritjen e shpejtë të shifrës që shqiptarët shpenzojnë për udhëtime jashtë shtetit, bilanci i turizmit vazhdon të mbetet pozitiv, pasi pushuesit e huaj I sjellin ekonomisë më shumë se sa shpenzojnë shqiptarët jashtë.

Sipas Bankës së Shqipërisë për 9 muajt e parë të këtij viti ekonomia shqiptare përfitoi 1 miliardë e 636 milionë euro nga turizmi ose ose 412 milionë euro më shumë se shpenzimet e shqiptarëve jashtë.

/Klodian Tomorri/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA