Pak më shumë se 24-orë na ndajnë nga Krishtlindjet. Peshkopi i Kishës Autoqefale, Janullatos ka publikuar një mesazh urimi.
Në Krishtlindje, në të kremten e madhe të ardhjes së Birit dhe Fjalës së Perëndisë brenda njerëzimit, kremtojmë nismën mahnitëse të Perëndisë Atë për t’u pajtuar me gjininë njerëzore. Ati, i shtyrë nga dashuria e Tij e pafund, “dërgoi në botë Birin e tij të vetëmlindur, që të rrojmë me anë të tij” (1Jn. 4:9), për ta bashkuar njerëzimin me veten Tij, duke u bërë anëtar i tij- si Perëndinjeri- uroi Janullatos.
Realiteti i ri që u krijua me ardhjen e Krishtit, është një entitet i ri kolektiv, “Kisha”. Ne të krishterët nuk e shprehim fetarinë tonë si individë të izoluar. Bëjmë pjesë në një komunitet të bekuar, jemi qeliza të gjalla të një trupi shpirtëror, të Kishës, që ka Krye Krishtin. Pra, në kundërvëniet, në debatet dhe polarizimet, që janë të natyrshme në një organizëm të gjallë, “vetëshërimi” që është dhuratë Perëndie, fuqia e natyrshme e shërimit të çdo trupi është pajtimi. Ky është trajtimi terapeutik në periudha krizash, armiqësish dhe ndasish, një element i domosdoshëm për kohezionin social dhe bashkekzistencën paqësore të njerëzve, të komuniteteve dhe të popujve.
Në një kohë kur ndasitë, tensionet dhe konfliktet po torturojnë botën, do ta kremtojmë Krishtlindjen në mënyrë më esenciale, vetëm nëse marrim pjesë, sipas mundësive tona, në përpjekjet për pajtim në ambientin tonë të ngushtë, në jetën profesionale, shoqërore, kishtare e politike. Pajtimi kërcënohet vazhdimisht nga egocentrizmi me shfaqjet e tij të ndryshme, si inati, zemërimi, dëshira për hakmarrje. Mënyra me të cilën Biri dhe Fjala e Perëndisë, i buti dhe i përuluri, vjen në historinë njerëzore, përcakton edhe mënyrën se si do të fitojmë mbi egocentrizmin. Parakusht kryesor për pajtimin mbetet falja, shprehja më e fortë e fuqisë së dashurisë. Fjala e Mishëruar, Krishti, këmbënguli që ne të themi vazhdimisht: “dhe falna fajet tona, sikundër edhe ne ua falim fajtorëve tanë…”. Ndjesa mbështet dhe gjallëron solidaritetin, bashkëjetesën paqësore të çdo grupimi shoqëror.
*
Për të kontribuuar në këtë pajtim, është e nevojshme të jemi pajtuar me veten tonë- me ndërgjegjen tonë, me mundësitë dhe me limitet tona- me qëllimin e jetës sonë. Duhet të përpiqemi vazhdimisht që, me Hirin hyjnor, të paqësohemi “me veten tonë” (1Thes. 5:13).
Para se gjithash, nevojitet pajtimi ynë me Perëndinë, me vullnetin dhe porositë e Tij, siç përcaktohen në Shkrimin e Shenjtë. Atëherë, me anë të ndriçimit të Shpirtit të Shenjtë, do të zbulojmë se: “të pamundurat për njerëzit, janë të mundura për Perëndinë” (Llk.18:27). Apostull Pavli, i nisur nga përvoja e tij, deklaronte: “Të gjitha mund t’i bëj me anë të Krishtit që më jep fuqi” (Fil. 4:13). Dhe diku tjetër: “Edhe të gjitha janë prej Perëndisë, që na pajtoi me veten e tij me anë të Jisu Krishtit dhe na dha shërbesën e pajtimit” (2 Kor. 5:18).
*
Biri dhe Fjala e Perëndisë që erdhi në botë, veçanërisht gjatë kësaj periudhe festive, na kërkon që të marrim pjesë në veprën e Tij, e cila nisi nga grazhdi dhe përfundoi në Kryq. Që të ecim përpara drejt një pajtimi të vërtetë me Atë, me veten tonë dhe me njerëzit tanë të afërm, që të kemi mundësi të bashkëpunojmë për pajtimin e përgjithshëm, i cili ka si qëllim, nga ana eskatologjike, “t’i përmbledhë të gjitha në Krishtin”(Efes.1:10).
Duke kujtuar me mirënjohje mirëdashjen e Perëndisë që kremtojmë në Krishtlindje dhe, duke marrë pjesë në “shërbesën e pajtimit”, që nisi me Lindjen e Tij në botën tonë, do të bëhemi të denjë të psalim së bashku në mënyrë të ndërgjegjshme “Lavdi Perëndisë në më të lartat dhe mbi dhenë paqe, dhe në njerëzit mirëdashje”.
Krishtlindje të bekuara! Viti i Ri le të na sjellë paqe me shpresë gjallëruese, si dhe solidaritet të pandërprerë në sprovat e papritura të jetës.
Me dashuri të tërëshpirtshme më Krishtin, i Cili “ na dha shërbesën e pajtimit”.
Top Channel