Për çiftet që nuk lindin dot fëmijë procedura InVitro duket një zgjidhje e mirë. Por në kushtet e Shqipërisë, çmimet e këtij shërbimi janë shumë të larta.
Beni dhe Andia janë një çift të rinjsh që jetojnë në Tiranë, të martuar prej 8 vjetësh. Prej shumë kohësh po tentojnë të kenë një shtatzëni.
Punojnë nga mëngjesi në darkë, por kursimet e tyre nuk dalin për pagesat e trajtimeve për InVitro e për të gjithë rrugëtimin e gjatë e të lodhshëm.
Gjithçka që kanë e çdo dëshirë që shprehin, shkon vetëm për të pasur një trashëgimtar.
“Unë punoj në ndërtim Andia në call center, na kanë thënë se kushton 5 mijë euro, një gjilpërë 190 euro paçka se na u bë dhuratë një herë për ne rezultoi negative, unë dhe Beni nuk kemi mundësi pacaka se punojmë shumë fort. Kur kam pasur përgjigje negative kam thënë kur do e bëjmë përsëri, është shumë e vështirë, është e shtrenjtë”, – tregojnë Beni dhe Andia.
Nëse shërbimi InVitro do të ofrohej edhe nga shteti me çmime më të lira, çifte si Andia dhe Beni do të kishin mundësi të provonin disa herë. Por kur është ngritur ky debat ne caqet politike është konsideruar si një mjekësi luksi. Pra është futur në të njëjtën kategori si operacionet plastike të hundës, apo të buzëve. Një logjikë absurde!
“Duhet patjetër ta kemi një fëmijë sepse do plakemi do të sjellim një trashëgimtar, pse jo unë nga një nënë kam lindur, nënë dua të bëhem edhe unë, të kesh një foshnje ta ndjesh si rritet. Të qenit luks për të pasur një fëmijë kjo nuk duhet të ekzistojë”, – rrëfejnë Andia me Benin
Privimi i kujdesit shëndetësor në aspektin e riprodhimit, konsiderohet shkelje e të drejtave të njeriut. Kjo është e parashikuar edhe në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, ku thuhet se e drejta e riprodhimit nuk duhet të ketë qasje përjashtuese apo diskriminuese për shkaqe financiare, etnike apo fetare.
Top Channel