FNSH, RENEA dhe FAST do të zhvillojnë operacione për arrestimin e personave në kërkim, gjatë natës së ndërrimit të viteve, por edhe në ditët para dhe pas 31 dhjetorit.
Kjo u pohua nga drejtori i Drejtorisë së Rendit Publik, Albert Dervishaj, në një deklaratë për mediat, në lidhje me masat e marra nga Policia e Shtetit për të siguruar mbarëvajtjen e festave të fundvitit.
“Policia e Shtetit e vlerëson si mjaft të çmuar bashkëpunimin me komunitetin dhe në këtë kontekst do të analizojë dhe rivlerësojë informacionet për identifikimin e autorëve të ngjarjeve kriminale kundër jetës dhe pronës, konfliktet për motive të ndryshme, për personat në kërkim, si dhe do të organizojnë operacione për kapjen e tyre, duke angazhuar edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, Repartin Special “RENEA” dhe Njësinë Speciale “FAST”, u shpreh Dervishaj.
Policia e Shtetit ka planifikuar gjithashtu masa për mbajtjen në kontroll të situatës së sigurisë, në veçanti në sheshe publike, qendra tregtare që frekuentohen nga numër i madh qytetarësh, lokale dhe restorante apo sheshe ku do të organizohen aktivitete festive etj., duke bashkëpunuar me bashkitë respektive, me qëllim bashkërendimin dhe koordinimin e masave për këtë qëllim.
Janë evidentuar dhe organizuar shërbime, në vende e objekte private, banka, zyra të këmbimit valutor, tregje, lokale dhe objekte ku administrohen vlera monetare e materiale, për të parandaluar ngjarje kriminale.
Sipas policisë, këto masa do të synojnë shtimin e kontrollit të automjeteve në bazë të analizave të riskut, me qëllim parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme, kryesisht të lëndëve narkotike, në shtimin e patrullave në kufirin e gjelbër, si dhe në bashkëpunimin dhe bashkërendimin e veprimeve me homologët kufitarë në interes të lëvizjes së lirë dhe në kohë, si dhe të parandalimit e goditjes së paligjshmërisë.
Top Channel