Familja Belegu këtë Krishtlindje e Vit të Ri, do ta gëzojë me shtëpi të re, pas humbjes së banesës më 21 shtator. Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Bashkisë Tiranës Erion Veliaj i dorëzuan sot çelësat e banesës së re e cila është ndërtuar në kohë rekord familjes Belegu nga Petrela.

Kryefamiljari i saj, Xhevdet Belegu, i cili vuan edhe nga probleme shëndetësore, kurrë nuk do e imagjinonte më 21 shtator se shtëpia e tij e shkatërruar plotësisht do të mund të rindërtohej për shkak edhe të vështirësive ekonomike.

Por lotët e hidhërimit të asaj dite sot janë kthyer në lot gëzimi, kur tre fëmijët e tij të vegjël do të kenë mundësi jo vetëm të kenë një banesë më të mirë, por edhe të rriten e të studiojnë në kushte komode.

Sikurse premtoi kryebashkiaku Veliaj në shtator, Bashkia e Tiranës bashkë me një nga kompanitë që u përgjigjën në kohë rekord thirrjes për të adoptuar një banesë, filloi ndërtimin e saj, ndërkohë që është menduar edhe për mobilimin e saj të plotë me gjithçka që është e nevojshme duke filluar nga elektroshtëpiaket tek këndet etj. “Shtëpitë e reja siç e patë kishin rezistuar, kurse Xhevdeti rri te shtëpia e prindërve, të shtëpia e vjetër e plakut.

I ranë muret. Dhe sipas porosisë tuaj për tërmetin e parë që të mbaronim çdo shtëpi, para Vitit të Ri. Prandaj ishte dhe simbolika e gjelit, që, çelësin dhe gjelin dhe një fillim i ri te shtëpia e re”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj siguroi se të gjithë banesat e reja do të plotësojnë të gjithë standardet. Shtëpia e tyre e re 3+1, plotëson më së miri të gjithë nevojat për strehim të familjes Belegu e cila ka tre fëmijë.

Top Channel