Humbja ndaj Lazios në “Superkupën e Italisë” është ende e hidhur në ambientin bardhezi. Juventusi ka zhvilluar një sezon deri më tani me ulje ngritje duke bërë hapa fals edhe në kampionat. Duke parë këto vështirësi drejtuesit e Juventusit, me në krye presidentin Andrea Agnelli, janë vendosur në kërkim të lojtarëve për të plotësuar organikën e tyre.
Bomba e ditës vjen nga Anglia. Prestigjiozja “Daily Mail”, shkruan në sajtin e saj se Manchester United është i gatshëm për të hequr dorë nga shërbimet e Paul Pogba që në merkaton e janarit. Duke shtuar më tej se “djajtë e kuq”, kanë nisur bisedimet me “zonjën e vjetër” dhe menaxherin e mesfushorit për gjetjen e një marrëveshje të mundshme.
60 milionë euro duke përfshirë në ofertë dhe mesfushorin Emre Can pritet të jetë oferta e Juventusit.
Ofertë kjo që do të pritej krahëhapur në Manchester, ku përveç parave do të siguronin shërbimet e një mesfushori mjaft cilësor dhe që e njeh mjaft mirë kampionatin pasi në të kaluarën ka mbrojtur ngjyrat e Liverpool.
Nga krahu tjetër për kampionin e botës, Paul Pogban, do të ishte një rikthim i bujshëm në Torino, qytet ku dhe u afirmua dhe zhvilloi paraqitje shumë të mira.
Pogba nuk ndihej më i lumtur në “Old Traford”, marrëdhëniet e tij me klubin u krisën që sezonin e kaluar kur 26 vjeçari u konfliktua me trajnerin e asaj kohe në klub Jose Mourinho. Rikthimi i Pogba do të pritej shumë mirë nga tifozët të cilët e konsiderojnë mesfushorin si idhullin e tyre, por gjithashtu cilësitë e tij do ta ndihmonin zonjën e vjetër që të tentonte fitimin e “Champions League”. Kompeticion që ka qenë objektiv kryesor i klubit sezonet e fundit por nuk është finalizuar deri më tani, duke u ndalur në dy finale në vitin 2015-të ndaj Barcelonës dhe ndaj 2017-të kundër Real Madridit.
Top Channel