Kjo mungesë ligjore e ka kthyer Shqipërinë në një destinacion botëror për surrogacinë. Madje tashmë ka edhe agjenci që ofrojnë paketa turistike të kombinuara me shërbimin e surrogacisë.
Ne do të futemi në disa faqe interneti që e ofrojnë këtë shërbim. Fillimisht do të shohim faqen ‘Art Bejbi Albania’. Në faqen e parë reklamohet se kjo agjenci ofron shërbimin e surrogacisë në Shqipëri për beqarët, çiftet gei, çiftet lezbike etj.
Kjo kompani e ndan faqen e saj në tre kullona kryesore. Shërbimet e surrogacisë në Shqipëri, dh urimi i vezëve dhe i spermës në Shqipëri dhe nënat surrogato në Shqipëri. Ajo reklamon se është pjese e një rrjeti global nënash surrogato.
Por përse ka zgjedhur kjo kompani Shqipërinë? Përgjigja është e thjeshtë sepse në Shqipëri ky biznes nuk është i rregulluar me ligj. Nëse shkojmë më poshtë në faqe gjejmë edhe koston e shërbimit surrogato për Shqipërinë. Kjo agjenci ka vendosr një cmim prej 55 deri në 60 mijë euro.
Kur shikon me kujdes kontaktet për në këtë klinikë, prefiksi i numrit të telefonit i përket shtetit të Gjeorgjisë. Po ashtu edhe adresa ‘ART BEJBI’ të çon në një klinikë fertilitieti në Gjeorgji. Drejtuesi i kësaj klinike është Ravi Sharma, një shtetas me origjinë indiane. Gjeorgjia është një shtet që surrogocinë e ka totalisht të lejuar dhe të rregulluar me dispozita ligjore të veçanta.
Por Gjeorgjia është larg. Shqipëria duket si një vend tranzit për surrogatot më afër shteteve të bashkimit Europian. Kështu Ravi Sharma ka hapur edhe një degë të klinikës së tij për Shqipërinë.
Nëse kërkojmë në internet gjejmë edhe faqe të tjera që ofrojnë shërbimet e surrogacisë. Një agjenci e tillë është hapur në vitin 2018 në Tiranë. Helth Turizëm Albania, është një kompani shqiptare që ofron paketa të turizmit shëndetësor për shtetasit e huaj.
Ky lloj turizmi është risi për Shqipërinë. Me turizëm shëndetësor nënkuptojmë që të huajt vijnë dhe vizitojnë vendet më të bukura të Shqipërisë ndërkohë marrin edhe trajtim mjekësor në klinikat private. Kjo ndodh për shkak të çmimeve më të lira që ka vendi ynë.
Por në rastin konkret kjo agjenci ofron edhe shërbimin e surrogacisë. Tek informacionit mbi këtë shërbim, kompania vetë shpjegon se përse një person duhet të zgjedh Shqipërinë për surrogaci.
Shqipëria është një vend i përshtatshëm dhe efiçent për surrogacinë. Kjo për shkak të kostove të përballueshme dhe lehtësirave për të plotësuar dokumentet.
Pas lindjes, prindërve u duhet rreth 1 muaj kohë për plotësimin e dokumenteve për ta marrë beben në shtëpi. Dokumentet e fëmijës plotësohen me vendim gjykate dhe emrat e prindërve janë vetëm të atyre që e kishin porositur beben. Kjo procedurë është e thjeshtë dhe nuk kërkon marrjen e një avokati të veçantë.
Në faqen e kësaj agjencie jepen edhe emrat e doktorëve në Shqipëri të cilët bashkëpunojnë për kryerjen e surrogacisë. Nga 5 mjekë, vetëm njëri prej tyre me shtetësi Italiane është kirurg i përgjithshëm. Katër të tjerët, janë të gjithë specialistë të fekondimit inVitro.
Ata janë: Elton Peçi, Genci Kabili, Besfort Ferhati, dhe Ana Sula. Duket qartë se kompania ‘Helth Turizëm Albania’ e ka fokusin kryesor tek klinikat e fertilitetit, ku kryhen edhe rastet e surrogacisë.
Sipas dokumentit në QKB, pronare e këtij biznesi është zonja Fatlinda Tahiri. Ajo është e njohur për punën e saj në fushën e shëndetit riprodhues në Shqipëri. Mesa duket ajo ka hapur edhe një kompani për turizmin shëndetësor me prioritet fertilizimin inVitro. Në Intervistën që ne i bëmë, ajo shprehet që në Shqipëri vijnë shumë turistë nga Italia për turizmin riprodhues.
“Ne kemi çifte që vijën nga jashtë për tu trajtua në Shqipëri për infertilitet dhe ata e zgjedhin Shqipërinë si alternativë e konkurueshme me vende si Spanja, Greqia, Italia. Kemi shumë Italian që nuk vijnë vetëm për turizmin dentar por edhe për turizmin e riprodhimit, nuk do doja ta quaja turizmin inVitro”, – thotë Fatlinda Tahiri Berisha, Eksperte në fushën e Infertilitetit.
Por përse pikërisht shumica janë nga Italia, ajo këtë nuk e thotë. Në Itali fekondimi inVitro ofrohet me kushte shumë më të mira se Shqipëria. Edhe çmimet janë të përafërta. Atëherë çfarë ka në Shqipëri që nuk gjendet dot në Itali? Përgjigja ëshët e thjeshtë nënat surrogato.
Në Itali, kisha katolike ka ndikim të madh në mos-lejimin e këtij shërbimi. Prandaj edhe ligjet atje, e ndalojnë surrogacinë në mënyrë të rreptë. Kjo është e vetmja arsye llogjike se përse në Shqipëri vijnë shumë Italianë për turizmin riprodhues.
Zonja Tahiri dhe mjekët e tjerë që ne intervistuam nuk pranojnë të japin sqarime për statistikat lindjeve surrogato në Shqipëri. Kush janë nënat që merren me qera, nga vijnë ato dhe çfarë procedurash ndiqen?
Këtu vlen për tu përmendur se kur flasim për nënat surrogato, nuk po tregojmë një biznes të paligjshëm. Ajo që duam të theksojmë është fakti që ky biznes me bebet po bëhet pa asnjë bazë ligjore. Pa asnjë kriter të rregulluar më ligj. Secili vepron sipas kokës së tij. Siç e treguam edhe më lart ka klinika që ofrojnë sot në Shqipëri, të lindin bebe për çiftet homseksuale. Dhe e gjitha kjo bëhet në fshehtësi.
Tani do të shohim një faqe tjetër në internet që ofron shërbimin e surrogacisë në Shqipëri. Ajo quhet ‘Sugorraci In Albania’. Është një degë e kompanie Izraelite, ‘Tamuz Family’.
Në këtë faqe ne arrijmë të gjejmë disa nga sqarimet që nuk na i japin vetë mjekët shqiptar. Aty thuhet se ky shërbim ofrohet kryesisht për çiftet gei, për gratë me HIV-AIDS, që duan të bëhen nëna dhe për individët singëll.
Në brendësi të faqes renditen disa të dhëna mjaft interesante. Fillimisht tregohet se cilat janë këto vajza që ofrohen për tu bërë nëna surrogato në Shqipëri.
Surrogatot tona janë kryesisht shtetase të Evropës lindore që jetojnë në Tiranë. Ato kalojnë në procedura rigoroze para se të pranohen në program dhe duhet të kenë pasur minimumi një shtatëzani të suksesshme më parë.
Një pragraf më poshtë shpjegohet edhe se ku merren vezët me të cilat bëhet fekondimi inVitro.
Dhurueset e vezëve janë shtetase të Evropës lindore të cilat udhëtojnë për në Shqipëri për marrjen e vezëve. Plus kësaj, prindërit porositës mund marrin edhe vezët e vajzave nga Afrika e jugut që janë pjesë e Familjes Tamuz.
Ndërkohë çmimi për një bebe sipas faqes ‘Surrogaci in Albania’ është 69 mijë euro. Për binjakë, çmimi shkon 119 mijë euro.
Agjencia Izraelite, jep edhe informacion për procedurat ligjore. Në fakt këtu është thembra e Akilit për të gjithë këtë histori. Sepse nuk mund të flasësh për procedura ligjore kur ligji mungon. Gjithsesi, në këtë rast agjencia izraelite, bashkëpunon me një avokate shqiptare që quhet Arjula Çibaku.
Ne jemi të kënaqur që punojmë më avokaten Arjula Çibaku, partnerja jonë ligjore në Shqipëri. Arjula do të asistojë me të gjitha çështjet ligjore në Shqipëri duke përfshirë kontratën mes personit porositës dhe vajzës surrogate.
Arjula Çibaku në CV e saj shkruan se është avokate, specialiste ligjore e markave tregtare dhe përkthyese e licencuar e gjuhës Turke. Por puna e kësaj avokateje nuk mbaron këtu. Ajo merret edhe me procedurat më delikate që kanë të bëjnë me regjistrimin e fëmijës pas lindjes.
Ajo gjithashtu do të asistojë në procesin e marrjes së një certifikate lindje dhe një pasaporte për fëmijën e lindur. Babai biologjik do të regjistrohen në çertifikatë ne lindjes së bashku me nënën surrogato. Pasi ju keni iku nga Shqipëria, dhe të jeni kthyer në shtëpi do të fillojnë procedurat e tjera ligjore për ta hequr emrin e nënës surrogato nga çertifikata e lindjes.
Me pak fjalë surrogacia në Shqipëri ka filluar të jetë atraksion turistik i mirfilltë. Agjenci të tilla kanë zgjedhur vende si Ukraina, apo Gjeorgjia si bazë, sepse atje surrogacia është e lejueshme. Por ka vende të tjera si Italia që e kanë rreptësisht të ndaluar. Shqipëria nuk është as të vendet që e ndalojnë dhe as tek ata që e lejojnë. Surrogacia në Shqipëri bëhet në kaos ligjor e shoqëror.
Një gjë është e sigurt, klinikat private fitojnë miliona euro nga ky aktivitet. Duke mos deklaruar as statistikat për shërbime të tilla ata bëjnë edhe evazion fiskal. Ata i paraqesin rastet e surrogacisë si procedura normale invitro që kushtojnë 4 – 5 mijë euro. Kur në fakt surrogacia paguhet deri në 60 mijë euro.
Top Channel