Përmes një postimi të pak minutave më parë në Facebook, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se Thumana, zona më e dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit nxori në pah papërgjegjshmërinë dhe dështimin e kësaj qeverie që shkaktoi humbjen e 24 jetëve vetëm sepse nuk mori masa për pallatet e dëmtuara nga tërmeti i 21 shtatorit dhe ai i korrikut 2018.
“Ka kaluar një muaj dhe ende qytetarët, banesat e të cilëve u dëmtuan janë në ankth për fatin e tyre. Askush nuk u ka dhënë një vlerësim nëse banesat e tyre janë apo jo të banueshme. Disa janë detyruar të marrin rrezikun e qëndrimit në shtëpitë e dëmtuara duke mos pasur mundësi tjetër strehimi. Frika dhe dëshpërimi i shoqëron gjatë gjithë kohës. Ata nuk kërkojnë asgjë më tepër sesa inxhinierë që të vlerësojnë rrezikshmërinë që paraqesin banesat e tyre në mënyrë që të mos u ndodhë e njëjta gjë sic ndodhi me pallatet e shembura vetëm disa metra larg tyre Përtej propagandës shteti ka dështuar turpshëm. Dhe e gjitha kjo vetëm që të mos preken 150 milion dollarët që shkojnë në xhepat e 10 oligarkëve. Mosreagimi i shpejtë ka rënduar gjendjen e tyre she po sjell probleme shëndetësore kryesisht tek femijët dhe të moshuarit”, u shpreh Basha.
Më tej shtoi:
“Bamirësia e shqiptarëve ka qenë ndihma më e madhe që kanë marrë! Por është detyrë e shtetit që u merr taksat, tu vijë në ndihmë, tu sigurojë strehim, të vlerësojë sa më parë dëmet dhe të bëjë të mundur rindërtimin e shtëpive dhe riparimin e dëmeve. Çdo vonesë sjell dëme të mëdha për banorët, fëmijët e tyre por edhe për mbarë shoqërinë dhe vendin.”
Top Channel