Reshjet e shiut kanë përmirësuar situatën hidrike në hidrocentralet e kasadës së Drinit, duke bërë që prodhimi vendas të mbulojë të gjithë kërkesën e konsumatorëve.

Operatori i shpërndarjes së energjisë nuk ka importuar asnjë kilovat nga jashtë për dhjetorin, ndërkohë që edhe kontratat e nëntorit janë anuluar kundrejt penaliteteve.

Aktualisht niveli i Fierzës është në 273 metra, ky hidrocentral po mbahet në regjim të ulët pune me qëllim grumbullimin e rezervës energjitike. Peshën kryesore të prodhimit po e mban Komani dhe Vau i Dejës. Po ashtu, energjia po merret edhe nga hidrocentralet private, që mbulojnë një pjesë të konsiderueshme të konsumit.

Pa llogaritur kontratat e anuluara tashmë të importit, OSHEE ka shpenzuar mbi 142 milionë euro gjatë 2019-s për blerjen e energjisë nga jashtë, duke e tejkaluar ndjeshëm buxhetin e parashikuar në fillimviti. Madje kompanisë publike të shpërdarjes së energjisë i është dashur që të ndërpresë disa investime për të mbuluar importet.

Humbjet financiare të OSHEE llogariten në rreth 30 milionë euro deri në tetor, ndërkohë që kompania shpreson që rreshjet e shiut të vazhdojnë në mënyrë që vendi të dalë nga kriza e prodhimit.

Top Channel