Ndahet nga jeta shkrimtari Mehmet Myftiu, njeriu që jetoi ferrin e internimit prej mendimeve të lira

23/12/2019 14:35

Dita e sotme solli fundin e jetës së shkrimtarit Mehmet Myftiu, shkrimtar i shquar disident dhe themelues i letërsisë realiste pas Luftës së Dytë Botërore.

Në moshën 12-vjeçare, Myftiu u internua nga nazistët në kampin e përqëndrimit në Prishtinë, e ndërsa më vonë edhe nga komunistët për mbrojtjen e lirisë së fjalës të mikut të tij, Kasem Trebeshina.

Njeri i letrave, i ndjeri Myftiu është autor i disa librave, përfshirë romanin “Shkrimtari”, për të cilin i është hequr e drejta e botimit për 25 vite rresht.

“Mehmet Myftiu ka qenë dhe vazhdon të jetë miku im prej më shumë se dyzet vjetësh. Ishte shkrimtari i parë me mendime të lira që kam njohur në jetën time”, do të shprehej për të Ismail Kadare.

Dashuria dhe ndjeshmëria e tij ndaj së bukurës duket se është përcjellë edhe tek e bija, shkrimtarja e mirënjohur Besa Myftiu dhe mbesa, artistja Elina Duni.

Përcjellja për në banesën e fundit të Mehmet Myftiut do të bëhet pasnesër, në orën 12:00.

Top Channel