Moti i keq përfshiu edhe qarkun e Shkodrës, por duket se pas reshjeve të 24 orëve të fundit, situata po shkon disi drejt normalizimit, ndërkohë që ende shfaqen probleme në disa njësi administrative.

Bashkia Shkodër ka patur disa probleme në segmentet rrugore të Anës së Malit dhe në njësinë Administrative Shosh, Shalë në të cilat është ndërhyrë dhe është normalizuar situata, teksa vazhdon të ketë probleme furnizimi me energji elektrike, për të cilën po punohet nga strukturat e KESh me qëllim eleminimin e defekteve në këto njësi administrative.

Në bashkinë Malësi e Madhe, situata është stabilizuar gjatë 24 orëve të fundit te shtëpitë e të cilëve ju është përmbytur toka për shkak të tombinove të superstradës, ndërsa ka probleme në rrugët rurale që lidhen me disa fshatra të njësisë administrative Kelmend dhe Shkrel, ku po punojnë aktualisht strukturat e bashkisë me mjetet e tyre për të pastruar rrugët nga inertet e rëna për shkak të reshjeve.

Bashkia Vau i Dejës nuk ka problem. Energjia elektrike e munguar ka ardhur pas riparimit të defekteve në këtë bashki. Në bashkitë Pukë dhe Fushë Arrez ka patur rënie inertesh në segmentet rrugore dhe është ndërhyrë nga strukturat e bashkive për pastrimin e tyre; aktualisht edhe në këto dy bashki situata është e qetë.

Aktualisht, dy HEC-et, ai i  Komanit dhe Vaut të Dejës po punojnë me kapacitet të plotë dhe për rrjedhojë kemi fryrje të nivelit të ujërave ne lumin Drin, i cili ndikon ndjeshëm edhe në rrjedhën e lumit Buna, që do të thotë rritje e nivelit të ujrave në zonën e nënShkodres por që nuk është problematike përsa i përket përmbytjeve. Aktualisht situata është e qetë në të gjithë territorin e qarkut.

Top Channel