Kryeministri Edi Rama ka folur pas mbledhjes së qeverisë së fund viti dhe para gazetarëve zbuloji pak nga ajo çfarë është diskutuar në këtë mbledhje.

“Për procesin e legalizimeve, shpejt kalojmë në Parlament Ligjin e ri për Tokën dhe do i japim zgjidhje përfundimtare pronësisë mbi tokën të të gjithë atyre zonave ku nuk ka funksionuar 7501-shi dhe nuk ka konflikte pronësie e kanë njohur reciprokisht kufijtë e vjetër, sepse jemi ndeshur vazhdimisht, qoftë në fushata, qoftë në kontakte me njerëzit dhe prej 30 vitesh nuk i është dhënë zgjidhje përfundimtare. Do i japim zgjidhje përfundimtare kësaj çështjeje dhe njëkohësisht edhe regjistrimit të tokës bujqësore në përgjithësi mbi bazën e 7501-shit, duke respektuar rekomandimet e KiE”.

Deklarata e plotë:

Në këtë mbledhje të gjatë në çfarë çështjesh u fokusuat?

Ne kishim mbledhjen e fundvitit dhe siç e dini edhe ju, ne, në fund të çdo sesioni parlamentar, në prag të pushimeve të verës dhe në fund të vitit, në prag Vitit të Ri, bëjmë një përmbledhje të gjatë ku kalojmë në revistë të gjithë aktivitetin e ministrive, të institucioneve, duke u përqendruar nga njëra anë te problematikat dhe nga ana tjetër te prioritetet e periudhës në vijim.

Kemi pasur një pjesë të rëndësishme për rindërtimin. Kemi një plan shumë solid për të nisur procesin e rindërtimit. Objektivi ynë është që brenda pranverës gjithçka të jetë e nisur dhe brenda 6-mujorit të parë një pjesë e madhe e atyre që janë sot në banesat individuale të jenë sistemuar në një shtëpi të re. Ndërkohë që, sigurisht, ata që do të hyjnë në apartamente në lagjet e reja që do ndërtohen, do vazhdojnë të qëndrojnë në sistemin e  qirasë, deri kur të jenë gati për të ardhur në shtëpitë e reja.

Sigurisht kemi diskutuar për ato që ju i keni parë si 7 prioritetet e qeverisjes deri në mbyllje të mandatit. Në fillim të janarit, menjëherë pas Vitit të Ri, ne do kalojmë aktin që u pengua për shkak të Gjendjes së Emergjencës kundër krimit të organizuar dhe KÇK-së dhe njëkohësisht do vijojmë punën me Paktin për Universitetin. Ka nisur procedura dhe në pranverë do jemi në kantier për kampusin e madh universitar të Tiranës që do përfshijë ish-Qytetin Studenti, Akademinë e re të Sigurisë dhe Akademinë e Arteve.

Në rastin e Akademisë së Sigurisë do ketë një rindërtim të rëndësishëm ku do përfshihet edhe laboratori shkencor, që do të jetë një risi e rëndësishme për punën e Policisë së Shtetit, por edhe për vetë Akademinë, ndërsa në kompleksin ekzistues të Akademisë së Arteve do rindërtojmë nga e para gjithë pjesën e ndërtuar pas periudhës italiane.

Sa i përket energjisë dhe infrastrukturës, kemi nisur procedurën për Aeroportin e Vlorës. Shumë shpejt do shpallet procedura për Parkun e  madh të Fotovoltaike në zonën e Divjakës. Shumë shpejt do shpallet procedura për rrugën e re që do ndërtohet tërësisht nga e para, Thumanë-Kashar-Rrogozhinë, pra, një segment, Thumanë-Rrogozhinë. Po ashtu, po punohet dhe shpejt do shpallet procedura për tunelin e Llogarasë, që është një tjetër vepër e rëndësishme publike, pastaj një sërë veprash të tjera, Shëngjin-Velipoja, e të tjera vepra goxha të rëndësishme.

Për procesin e legalizimeve, shpejt kalojmë në Parlament Ligjin e ri për Tokën dhe do i japim zgjidhje përfundimtare pronësisë mbi tokën të të gjithë atyre zonave ku nuk ka funksionuar 7501-shi dhe nuk ka konflikte pronësie e kanë njohur reciprokisht kufijtë e vjetër, sepse jemi ndeshur vazhdimisht, qoftë në fushata, qoftë në kontakte me njerëzit dhe prej 30 vitesh nuk i është dhënë zgjidhje përfundimtare. Do i japim zgjidhje përfundimtare kësaj çështjeje dhe njëkohësisht edhe regjistrimit të tokës bujqësore në përgjithësi mbi bazën e 7501-shit, duke respektuar rekomandimet e KiE.

Po ashtu, kemi një tjetër prioritet të rëndësishëm, shërbimet online. Kemi folur, sepse ky është një prioritet që do fillojë të hyjë në proces konkretizimi që në janar me një numër të madh shërbimesh që qytetarët nuk do jenë më të detyruar dhe nuk do e kenë më as të mundur të shkojnë në zyra, apo sportele, por do i bëjnë aplikimet online dhe me të renë që të gjitha dokumentet që qytetarët duhet t’i marrin nga institucionet e ndryshme shtetërore për të marrë një të drejtë, apo një licencë, apo autorizim apo një dokument do i garantojë vetë shteti. Këto shërbime do fillojnë në një masë të konsiderueshme në janar, në qershor vala e dytë dhe në 2020-wn do mbyllim përfundimisht të gjitha sportelet, duke mbyllur përfundimisht kanalet e ryshfetit, kanalet  e radhëve, torturave të njerëzve në pritje të përgjigjeve nëpër sportele.

Dhe e fundit, Shengeni Rajonal, që është patjetër një prioritet i rëndësishëm.

-A i kanë plotësuar të gjithë ministrat pritshmëritë dhe a keni rezerva për ndonjërin për tyre për 2019-ën?

Unë besoj që kur sheh punën e bërë dhe kur sheh me orë të tëra shumë gjëra që janë bërë, apo në janë në proces vërtet mendoj që është një punë goxha e madhe dhe ndoshta një nga gjërat që ne do shohim si mund të përmirësohet është komunikimi dhe informimi për këto punë, pasi në një pjesë të tyre me të drejtë ju nuk keni vëmendje, sepse keni gjëra që janë më tërheqëse dhe më të rëndësishme atë ditë për publikun, çdo ditë ka lajmet e veta, çdo ditë ka ngjarjet e veta, çdo ditë ka sensacionet e veta, kështu që, në këtë aspekt nuk mund të fajësoheni, por mbase ne mund të fajësojmë veten për mosgjetjen ende të mënyrave të duhura për të përçuar te publiku informacion mbi shumë gjëra që faktikisht janë bërë dhe bëhen.

-Zoti Kryeministër, mbetet vetëm një javë nga festa e Vitit të Ri, pensionistët a duhet të mbajnë ende shpresë për sa i përket një shpërblimi?

Nesër kemi mbledhjen e qeverisë dhe do flasim edhe për këtë. Sigurisht që çka na ka ndodhur na ka bëre më të kujdesshëm do thoja, jo të frenuar se ideja ka qenë dhe mbetet që ne të mos cënojmë prioritetet dhe sigurisht që pensionistët nuk janë kurrë një kategori që ne mund ta harrojmë, apo neglizhojmë, por, nga ana tjetër, jemi të kujdesshëm, sepse duam të jemi të sigurtë 100% që do ta përballojmë qoftë edhe vetë rindërtimin dhe për këtë na duhet të presim edhe rezultatet e Konferencës së Donatorëve dhe të gjithë këtij procesi angazhimi të miqve e partnerëve për fondet, në mënyrë që të kemi një qartësi mbi sa do jetë barra e përgjithshme dhe sa do jetë barra jonë në barrën e përgjithshme. Kështu që, për këtë gjë do komunikojmë në vijim, por sigurisht që është një pyetje me vend dhe është një shqetësim që unë e kam shumë të qartë dhe shumë të fortë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA