Flamurtari duket se është në një rrugë pa kthim drejt rënies në Kategorinë e Parë. Ekipi vlonjat u mposht 1-3 nga Teuta në ndeshjen e fundit të javës së 17-të të Kategorisë Superiore, e shtyrë për 24 orë për shkak të terrenit të rënduar të stadiumit të Vlorës nga reshjet e dendura të shiut. Mbyllet pa asnjë fitore në kampionat pjesa e parë e sezonit nga kuqezinjtë, të cilët vetëm një ndërhyrje e fuqishme në merkato dhe një mrekullia mund t’i mbajnë në elitë.
Nuk e vuri në asnjë moment në diskutim suksesin Teuta, që golin e parë e gjeti në minutën e 31-të me Emiliano Vilën. I njëjti autor dyfishoi shifrat në fillim të pjesës së dytë, ndërsa Sherif Kallaku thelloi në 3-0 diferencën në të 65-ën.
Flamurtari, me shumë të rinj në formacion dhe i vetëdijshëm me mundësitë e kufizuara, luajti futboll të hapur, por eksperienca e paktë e penalizoi në rastet që u krijuan në portën e “Djemve të Detit”. Gjithsesi, kuqezinjtë arritën ta shënonin golin e nderit me Ribajn në minutën e 89-të.
Vlen të përmendet edhe episodi i minutës së 54-t, ku vetëm traversa i mohoi golin Hoxhajt pas një goditjeje të fortë në hyrje të zonës.
Teuta me këtë fitore barazon Partizanin dhe Tiranën në kuotën e 28 pikëve, vetëm 3 pikë më pak se Kukësi kryesues, ndërsa Flamurtari mbetet i fundit me vetëm 6 pikë.
Top Channel