Moti i keq ka përfshirë mbarë vendin, nga ku mësohet se lundrimi detar është pjesërisht i pezulluar në Vlorë, është shtyrë lundrimi i linjës Bari-Durrës, e po kështu janë pezulluar linjat e trageteve drejt Korfuzit. Duket se reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar një situatë të rënduar edhe në qarkun e Gjirokastrës.

Sot, në fshatin Labovë e Madhe, njësia administrative Odrie, bashkia Gjirokastër kanë mbërritur ekspertët e batalionit të xhenjos, të cilët janë marrë me njërin nga shkëmbinjtë të gjendur pranë rrugës, një problem që rezulton emergjent.

Ekspertët do të informojnë komandën e tyre dhe do të angazhohen për t’u rikthyer sa më shpejt me qëllim largimin e rrezikshmërisë. Ata kërkojnë të shpejtohen veprimet për nxjerrjen e urdhrit për veprim.

Po kështu, nga reshjet e rëna gjatë natës, të cilat vazhdojnë të bien në fshatin Qestorat, njësia administrative Lunxheri ka rrëshqitje të dherave dhe si pasojë rruga është e bllokuar.

Nga ana e bashkisë janë marrë masat për dërgimin e mjetit dhe forca për zhbllokimin e kësaj rruge.

Nga kontaktimet me mbrojtjen civile të bashkive të tjera, deri në këto momente nuk raportohen probleme.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel