Moti i keq përfshin vendin/ Pezullohen lundrimet, Lana rrezikon të dalë nga shtrati, probleme në Gjirokastër e Lezhë

22/12/2019 19:24

Rreshjet e shumta të shiut vijojnë në të gjithë vendin prej orësh, të shoqëruara me erë të fortë.

Moti i keq në të dyja brigjet e Adriatikut ka krijuar probleme ne nisjen e trageteve, ndërsa ka nisur dhe fluksi i udhëtarëve që vijnë për pushimet e fundvitit në vend.

Deti regjistron forcën 8 ballë te shkalles Boufort. Edhe të henën do të jetë e njëjta situata, por era do të ndryshojë drejtim. Era do të fryjë në drejtimin veriperëndim duke sjellë dhe ulje temperaturash, ndërsa deti do të ketë forcën 7 ballë.

Kjo situatë detare ka pezulluar përkohësisht nisjen e lundrimeve për anijet e tonazhit të ulët dhe të mesëm në Adriatik, përfshirë këtu dhe anijet e peshkimit.

Reshjet e shiut vijojnë edhe në Vlorë, por nuk janë krijuar probleme. Ndërkohë lundrimi në det është pjesërisht i pezulluar për anijet e vogla.

Mjegull, ere e fuqishme si dhe reshje shiu të dendura në qafën e Llogorasë. Në aksin rrugor nga Pisha Flamur deri në afërsi të vend-hedhjes së parashutistëve gati 5 km, shikueshmëria për drejtuesit e automjeteve është e kufizuar nga mjegulla, po ashtu dhe era e fuqishme është një rrezik për automjetet që kalojnë në atë rrugë.

Në Sarandë linjat e trageteve me Korfuzin janë pezulluar dhe asnjë mjet nuk është lejuar që të dalë në det deri në një njoftim të dytë.

Reshjet po vazhdojnë me intensitet të lartë prej më shumë se 12 orësh në të gjithë qarkun e Gjirokastrës. Akset nacionale janë të kalueshme, por niveli i ujërave po rritet me shpejtësi. Ura e Viroit që është edhe pika më problematike në aksin Gjirokastër-Tepelenë është e kalueshme, por uji i liqenit po i afrohen nivelit të rrugës. Situata është duke u mbajtur në kontroll ndërsa ka disa ekipe të emergjencave pranë akseve problematike dytësore në Lazarat, Odrie, Cepo, Lunxhëri dhe disa zona në Tepelenë.

Pasdite u hap rruga drejt njësisë Lunxheri, fshati Qestorat, e bllokuar këtë mëngjes nga masiv dherash dhe shkëmbinj.

Rreshjet e shiut përmbytën edhe lagjen Besëlidhja në qytetin e Lezhës. Shkak ka qene bllokimi i pusetave.

Top Channel