Kukësi e mbyll vitin 2019 si kampion dimri, por jo ashtu siç do të dëshironte, me fitore ndaj Skënderbeut. Ekipi korçar u rrëmbeu pikë nënkampionëve të vendit në “Elbasan Arena”, duke barazuar 1-1, e ku nga minuta e 66-të luajti me një lojtar më pak, për shkak të ndëshkimit të Dajës me karton të kuq.

Një pikë me vlerë morale për skuadrën e Ilir Dajës, që vinte në këtë ndeshje pas 3 humbjeve radhazi.

Sa i përket kronikës, Bruno Dita kaloi korçarët në avantazh në minutën e 32-të, pas një harkimi të topit nga Gripshi në zhvillimet e një goditjeje të lirë, me Xhikën që s’mundi ta shmangte golin, edhe pse u zgjat për t’ia ndryshuar drejtimit.

Në të 40-ën tregoi klasin e tij portieri i Skënderbeut Enea Koliçi, që i mohoi një gol të sigurt Shkurtajt me një pritje spektakolare!

Et’hemi realizoi një gol sektakolar në fundin e shtesës në pjesën e parë, por vetëm pak sekonda para goditjes së tij nga distanca, Jorgji kishte vërshëllyer për përfundimin e pjesës së parë.

Kukësi e nis në sulm pjesën e dytë e pas shumë përpjekjesh arrin të barazoi me Rrocën, që u shërbye nga Aabzaj.

Kartoni i dytë i verdhë pas një ndërhyrjeje ndaj Maliqit e detyroi Dajën të linte para kohe fushën, por Skënderbeu edhe pse në inferioritet numerik ia doli të mbrohej mirë, duke mos pësuar një tjetër gol. Ky barazim e mban Kukësin në krye të Superiores me 31 pikë, një më shumë se Bylisi i vendit të dytë.

Një mbrojtës nderon Partizanin në sfidën e shtëpisë me Vllazninë. Heroi i të kuqve në “Selman Stërmasi” ishte Eneo Bitri, që realizoi golin e vetëm të takimit në minutën 62-të. Gjatë pjesës së parë të dyja skuadrat dhuruan pak në fushën e blertë e për rrjedhojë munguan rastet e pastra, por “muzika” ndryshoi në fraksionin e dytë.

Në të 59-ën Partizani pati shumë fat, teksa Lika e Shtubina nuk e gjetën dot golin, edhe pse ishin në pozicion shumë të volitshëm. E si gjithmonë, ligji i pashkruar i futbollit, nëse nuk shënon, e pëson, dënon Vllaznisë, teksa pak çaste më vonë Bitri shfrytëzoi topin e mbetur në zonë pas një këndoreje.

Rast ideal për Partizanin në të 65-ën, por Çinari godidi jashtë. Vllaznia dha gjithçka në minutat e mbetura për të shmangur humbjen, por i mungoi qetësia në përmbylljen e aksioneve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA