Pasi përjetoi tërmetin e vitit 1999 në Athinë, ku humbën jetën 143 persona, dhe krizën ekonomike të Greqisë, Margarita Dulati u kthye në atdhe për të hedhur të gjitha kursimet e jetës dhe punës së familjes në blerjen e dy apartamenteve në një pallat të kompanisë “Kristi Konstruksion” në lagjen 18 në Durrës, objekt që është dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit.
Përjetimi i dy tërmeteve të fuqishme dhe menaxhimi i ndryshëm i situatës nga shteti e lëndon dhe më shumë Margaritën.
“Në 1999 kam jetuar në Athinë, në Analosia ku ka qenë epiqendra e tërmetit dhe dora e shtetit qe në maksimum në momentin e duhur. Të nesërmen e tërmetit erdhën ekspertët me aparatura anti-sizmike që matën gradën e dëmtimit. Këtu kanë ardhur disa grupe, po nuk kam parë asnjë aparaturë t’i vendoset këtij pallati. Ka një burokraci të tmerrshme dhe asnjë konkluzion të saktë…të gjithë reaguan shumë shpejt. Këtu kemi 3 javë dhe jemi me duar në xhep. Na thonë mos hyni në pallat se rrezikojnë shkallët po ku të hyjmë? Ku e kemi portën hapur? Ju falenderoj juve jashtë mase dhe të gjithë këtu kemi të njëjtin hall. Është fatkeqësi natyrore, po po të bëhemi shumë e kalojmë”, rrëfehet ajo.
Banorët e pallatit 10-katësh mbajnë në duar dy akte ekspertimi nga të cilat rezulton se godina është e pabanueshme. Pallati është shpallur me dëmtime të rënda, i klasifikuar në gradën DS4, po banorët hedhin dyshime se ortakëria e kompanisë ndërtuese me atë të betonit “3D”, përmes bashkisë Durrës po përpiqet ta minimizojë dëmin e pallatit, madje ta heqë fare atë nga harta e pallateve të dëmtuara rëndë.
“Shqetësimi ynë kryesor është kundërshtimi i të gjithëve. Në bashki nuk e kanë regjistruar as për statistikë. Nuk ka ardhur asnjë dhe dy ekipet që erdhën për akt konstatimin e ka dhënë i pari me të verdhë dhe i dyti, italianët që ikën nga rruga e nuk dimë kush nga bashkia i largoi, e vlerësuan për të kuqe, për DS5. Presim topografin që të bëjë matjet nëse ka cenim a jo pallati. Të dimë çdo të bëhet. Ata duan ta mbyllin. Ta shpallin të banueshëm. Ne po flemë rrugëve. Po na pengojnë. Ata po na pengojnë për arsye se ka konflikt interesi. Këtu është firma Kristi Konstruksion që është ortak me firmën “3D”. Kaq. Edhe dihet kush është kryesori pas kësaj”, thotë Petrit Dulemata, banor.
Tërmeti ka nxjerrë në pah dhe probleme më të hershme të ndërtimeve të reja në Durrës, siç është prania e ujit në garazhe. Të ndërtuara jashtë standardeve ndërtimore për zona sizmike dhe me materiale të një cilësie jo të mirë, veprimi i ujit në bodrumet e pallateve ka ndikuar në dobësimin e strukturave mbajtëse të tyre.
“E kam blerë pallatin para 2 vjetësh dhe garazhet nuk janë funksionale se janë me ujë. Pallati fle në ujë dhe ndikon në themele. E kemi ngritur me të madhe, po askush nuk përgjigjet. 45 familjet e këtij pallati në Durrës presin një ekspertizë të tretë përfundimtare dhe vlerësim laboratorik të materialeve të përdorura në ndërtimin e pallatit të tyre, ndërsa fundi i vitit po afron me shpejtësi dhe ata ende ndodhen jashtë”, shprehet Alketa Kollçaku.
Top Channel