Çaji i ngrohtë me karafila dhe kanellë për qetësimin dhe rigjallërimin e organizmit

22/12/2019 06:33

Është koha perfekte për ta shijuar. Një çaj fantastik me aromë ndjellëse për shijen, humorin e mirë e mbi të gjitha energjinë pozitive që çliron në të gjithë trupin, mendjen dhe shpirtin. Me përbërës që gjenden lehtë në kuzhinë, me erëza fantastike dhe një kombinim perfekt i disa prej produkteve të mrekullueshme të natyrës. Një filxhan çaj magjepsës që qetëson të gjithë muskujt, shtendos nervat dhe sjell qetësinë në mendje e shpirt.

Është pikërisht magjik nga kombinimi perfekt i erëzave më të mira në shije dhe aromë, si xhenxhefili, kanella dhe karafili, të përzjera me shijen unike të kakaos e qumështit dhe ëmbëlsuar me mjaltë. Ideal për t’u përgatitur gjatë mbrëmjeve për një gjumë të qetë dhe relaksues gjatë natës. Por sigurisht, ky çaj mund të përgatitet dhe konsumohet në çdo kohë të ditës, madje edhe për mëngjes. Shoqërohet në mënyrë fantastike me biskota të ndryshme por edhe ëmbëlsira të lehta gjithashtu. Sugjerohet më poshtë përgatitjen e këtij çaji unik krejt lehtë në shtëpi.

Çaji i Lumturisë Krejt Lehtë në Shtëpi

(Përbërësit më poshtë janë për dy filxhanë çaji)
1 gotë e gjysmë qumësht
Gjysmë gote ujë
3 lugë të vogla kakao
Një degë çaj mali
4 feta të holla xhenxhefil
5 karafila
Pak kanellë
2-3 lugë të vogla sheqer ose mjaltë

Përgatitja e Çajit

Në një tenxhere të vogël ngrohni qumështin dhe ujin në nxehtësi të ulët derisa të ngrohet. Bëni kujdes që të mos e ngrohni në nxehtësi të lartë. Sapo të ngrohet shtoni pluhurin e kakaos derisa të tretet tërësisht. Më pas shtoni, çajin e malit, xhenxhefilin, karafilat, kanellën dhe lërini të marrin një valë për maksimumi 10 minuta.

Largojeni nga zjarri dhe shtoni dy lugë sheqeri ose mjaltë sipas preferencës. Nëse preferoni edhe më shumë aromë ndjellëse mund të shtoni edhe pak vanilje. Çajin e përgatitur hidheni në filxhan dhe pijeni ngadalë sa është i ngrohtë./AgroWeb

Top Channel