Babë e bir janë vënë në pranga nga policia e Bulqizës pasi u konfliktuan fizikisht me një shtetas dhe më pas kundërshtuan me dhunë punonjësit e policisë.
Po kështu është shpallur në kërkim edhe djali tjetër që ndërhyri për të penguar punonjësit e Policisë me qëllim mosshoqërimin e babait dhe të vëllait.
Por si ndodhi ngjarja? Mësohet se në orët e vona të mbrëmjes në Qytetin e Ri, Bulqizë, si pasojë një konflikti të çastit u konfliktuan me njëri-tjetrin tre shtetas. Shërbimet e Policisë ndërhynë duke parandaluar përshkallëzimin e konfliktit si dhe shoqëruan për në Komisariat personat e përfshirë në konflikt. Në momentet e shoqërimit të shtetasve L. G., 61 vjeç dhe djalit të tij A. G., 31 vjeç, ka ndërhyrë 29-vjeçari A. G. (djali tjetër i shtetasit L. G.) duke kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë.
Në ndihmë të patrullës kanë ardhur shërbime të tjera të Komisariatit të Policisë. 29-vjeçari A. G. duke përfituar nga errësira ka mundur të largohet, ndërsa dy shtetasit e tjerë, babë e bir, janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Bulqizë për veprime të mëtejshme. Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve L. G., 61 vjeç dhe djalit të tij shtetasit A. G. 31 vjeç, si dhe u shpall në kërkim 29-vjecari A. G., për veprën penale “Kundërshtimi me dhunë i punonjësit të policisë së rendit publik”, kryer në bashkëpunim.
Top Channel