5 fëmijë në çadër mes baltës, aktivistja denoncon: Do përmbyten! Autoritetet të dërgojnë kontenierë

22/12/2019 18:39

Aktivistja Edlira Çepani ka denoncuar një rast në Mamurras ku disa banorë, shtëpia e të cilëve është dëmtuar nga tërmeti, po qëndrojnë në një çadër të rrethuar nga balta. Sipas aktivistet, në atë çadër ndodhen edhe 5 fëmijë.

Çepani paralajmëron se për shkak të motit të keq, çadra rrezikon të përmbytet, ndërkohë që i bën thirrje autoriteteve të reagojnë dhe të dërgojnë konteniere te familjet që kanë mbetur në qiell të hapur, pasi dimri nuk mund të kalohet në çadra.

Reagimi

Kjo çadër është në Mamurras, në mes të baltës në këtë shi, me 5 fëmijë të vegjël. Si kjo janë qindra çadra nëpër fshatra, me fëmijë, të moshuar e njerëz të sëmurë. Sot do jenë përmbytur të gjitha…

Ky dimër nuk kalohet në çadra!

U bëj thirrje të gjithë strukturave qeveritare të pajisin njerëzit urgjentisht me kontenierë (nuk kushtojnë asgjë për shtetin) si një hap provizor drejt banesave të reja.

Sot me këtë shi, të gjitha çadrat do të jenë përmbytur e fëmijët do të jenë duke fjetur me batanijet qull!

Dëgjoni thirrjen e këtyre qindra njerëzve dhe pajisini me kontenier! Unë dua që taksat e mia të përdoren për këtë urgjencë, tani! Nesër do të jetë vonë!

Top Channel