Nga strukturat e Policisë, gjatë kësaj jave në të gjitha qarqet, janë ushtruar kontrolle në subjekte për fishekzjarre dhe si rezultat janë kontrolluar gjithsej 1592 subjekte (dyqane të ndryshme, markete apo supermarkete), si dhe tregje të shumicës, ku janë konstatuar lëndë piroteknike. 4600 kapsolla dhe 51 fishekzjarrë me fuqi të lartë shpërthyese janë sekuestruar.

Në Kukës, gjatë kontrollit të ushtruar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Kukës, në dyqanin e shtetasit G. G., 51 vjeç, banues në Kukës, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4508 kapsolla dhe 51 fishekzjarrë me fuqi të madhe shpërthyese. Shtetasi G. G. u procedua penalisht në gjendje të lirë dhe materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Në Lushnjë, nga kontrollet e ushtruara nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë janë evidentuar dy raste, konkretisht në dyqanin e shtetasit A. C. janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 47 kapsolla dhe në dyqanin e shtetasit N. P. janë gjetur dhe sekuestruar 45 kapsolla me fuqi të madhe shpërthyese dhe të rrezikshme për jetën e qytetarëve. Për këtë ngjarje pronarët e dyqaneve  janë ndëshkuar me gjobë, veprim i kryer në bashkëpunim me shërbimin e zjarrfikësit e Lushnjës.

Top Channel