Partia Demokratike ka reaguar pas raportit të Sekretariatit të Energjisë në Vjenë, i cili e klasifikoi Shqipërinë si vend që kishte shënuar regres në reformën e energjisë. Eno Bozdo nga PD tha se sekretariati, “institucioni me i rëndësishëm evropian për politikat energjetike, konfirmoi dështimin e qeverisë së Edi Ramës më sektorin energjetik”.
“Shqipëria është klasifikuar prej Sekretariatit si i vetmi vend në rajon, që ka hedhur hapa prapa në këtë sektor strategjik, që prek jetën e çdo shqiptari për një arsye të vetme – Edi Rama dhe qeveria e tij janë të korruptuar”, u shpreh Bozdo.
Deklarata e PD
Zvarritja e reformave energjetike apo ndryshimi i tyre sipas interesave financiare të klaneve në qeverinë e Edi Ramës, performanca e keqe e OSHEE-së, pavarësisht çmimit të rritur të energjisë, janë dy nga treguesit kryesorë të dështimit për shkak të korrupsionit.
Kjo është arsyeja pse Ministrja Përgjegjëse Belinda Balluku u përpoq t’ua mbyllte gojën mediave më një seancë të zhvilluar thuajse në terr informativ për një nga shtyllat thelbësore të ekonomisë së vendit, sektorin energjetik.
Kreu i Sekretarit të Energjisë në Vjenë konfirmoi përkeqësimi në 4 drejtime:
Shqipëria nuk ka bërë progres përsa i përket reformës në sektorin e energjisë elektrike. “Reformat e këtij viti janë vetëm në letër”- theksoi ai;
Reformat strukturore te sektorit duhet të përshpejtohen. Ngecja e tyre po dëmton liberalizimin e sektorit si kusht i nevojshëm për shëndoshjen financiare të tij.
Ka vonesa të mëdha të ndarjes së OSHEE në tre kompanitë e veçanta sipas Direktivave të BE-së dhe angazhimeve të marra nga qeveria shqiptare për liberalizimin e tregut. Kjo reformë mbi të gjitha do të jetë në dobi të konsumatorit familjar.
Shqipëria po vuan mungesën e investitorëve të huaj në energjinë e rinovueshme. Kjo për shkak të politikave qeveritare, klimës së keqe për të bërë biznes dhe mungesës së sigurisë ligjore për kompanitë e huaja në Shqipëri.
Në këtë raport Shqipëria vlerësohet me ecuri shumë të ulët, me vetëm 50% të pikëve të mundshme. Ky rezultat është edhe më i ulët se viti i kaluar.
Qëndrimi i Sekretariatit është gjithashtu kritik kundrejt performacës së OSHEE. “Humbjet në sistemin e shpërndarjes janë të larta dhe kjo gjë po rrezikon financat e OSHEE. Kështu nuk mund të vazhdohet më”, – deklaroi Kopac.
Gjendja e vështirë financiare e OSHEE tashmë nuk është më sekret.
Mjaftoi vetëm një vit thatësirë për të nxjerrë zbuluar keqmenaxhimin financiar të kompanisë. Vetë kompania pohon se është në vështirësi të mëdha likuiditeti.
OSHEE deklaron se është e paaftë të paguajë detyrimet e saj, duke rrëzuar propagandën disa vjeçare të Edi Ramës mbi performancën e OSHEE-së dhe fitimet që ka realizuar ajo.
Për shkak të menaxhimit të keq, që në thelb ka vjedhjen dhe korrupsionin, sot OSHEE është në pamundësi të mbledhë borxhin e saj ndaj të tretëve. Në tetor të këtij viti, borxhi shkoi 590 milionë euro, shumë më e lartë se koha kur Edi Rama erdhi në pushtet.
Një muaj më parë edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi se “Shqipëria ka nevojë për reforma të thella në sektor sepse sektori është i prekur periodikisht nga humbjet financiare, nga detyrimet e ndërsjellta të ndërmarrjeve dhe entiteteve shtetërore, nga qeverisja e dobët koorporative dhe reforma gjysmake…”
Partia Demokratike është e vendosur dhe ka planin për të kapërcyer këtë krizë të thellë, të reformojë thellësisht sektorin duke synuar mbi të gjitha liberalizimin dhe transparencën e tregut të energjisë.
Kompanitë publike të sektorit do t’i nënshtrohen auditimit të thellë dhe abuzuesit me paratë publike do të përgjigjen përpara drejtësisë.
Reformat tona synojnë, mbi të gjitha, përmirësimin e cilësisë së furnizimit, duke ulur ndjeshëm çmimin e energjisë elektrike për konsumatorët familjarë dhe bizneset prodhuese.
Top Channel