Shqipëria renditet mjaft lart në raportin e fundit global për dallimet gjinore, i cili përgatitet nga Forumi Ekonomik Botëror që prej vitit 2006.

Vendi ynë është i 20-ti në listën me 153 shtete, duke lënë pas Britaninë e madhe, Italinë si dhe të gjithë shtetet e tjerë të Ballkanit Perëndimor.

Shqipëria konsiderohet praktikisht si një prej vendeve me nivelin më të lartë të përmirësimit në këtë drejtim. Për të 11-tin vit radhazi, indeksin vazhdon ta kryesojë Islanda, e ndjekur në pozicionin e dytë, të tretë dhe të katërt nga fqinjët e saj nordikë që e kanë monopolizuar kryesimin prej vitesh: Norvegjia, Finlanda dhe Suedia. Të dhënat e fundit tregojnë se ka pasur një ngushtim të hendekut të dallimeve gjinore nëpër botë. Por me ritmet aktuale të ndryshimit, ai është ende larg sheshimit, sepse llogaritet që do të duhet gati një shekull për t`u arritur barazia e plotë mes meshkujve dhe femrave.

Islanda kryesuese e fortë e listës, i ka tkurrur gati në masën 88% dallimet gjinore, duke e rritur akoma edhe më shumë distancën e saj këtë vit me Norvegjinë. Renditja tregon se Shtetet e Bashkuara kanë rënë me dy vende, duke u pozicionuar në indeksin e ri në vendin e 53-të. Kina është e 106-ta. Raporti jep një kuadër më të plotë mbi të kuptuarit e masës dhe shtrirjes në mbarë botën, të dallimeve të bazuara në gjini, dhe për të ndjekur ecurinë në këtë fushë.

Ai tregon dallimet gjinore të çdo shteti, sipas sektorëve të tillë si: ekonomia, politika, arsimi dhe shëndetësia. Indeksi bën klasifikimin e shteteve, dhe lejon një krahasim efektiv mes rajoneve dhe grupeve të të ardhurave, për periudha të caktuara kohe. Në vitin 2012 Shqipëria renditej në vendin e 91-të në listën që kishte atëherë 135 shtete.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA