Presidenti maqedonas Stevo Pendarovski, tha në fjalimin e tij vjetor në parlament se “Mini-Shengeni” duhet të jetë i plotë me përfshirjen e të gjitha gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, sepse në të kundërt, kjo nismë sipas tij, nuk do të ketë sukses.
“I ashtuquajturi ‘Mini-Shengeni” ballkanik duhet të përbëhet nga të gjashtë vendet e rajonit, dhe jo vetëm nga tre. Pra, që nisma të jetë funksionale, duhet të jetë e plotë, ndryshe nuk ka për të funksionuar. Me këtë aleancë nuk kemi të bëjmë as me ‘Jugosllavinë e Madhe’ dhe as me ‘Shqipërinë e madhe’. i ka ikur koha ideologjive të vjetra të shekullit të kaluar, ato duhet arkivuar. ‘Mini-Shengeni’ na duhet për të përmirësuar jetët tona në Ballkan dhe për të shuar përfundimit konfliktet”, ka deklaruar Pendarovski i cituar nga mediat në Maqedoninë e Veriut.
Ai është ndalur në mënyrë të veçantë tek nevoja për thellimin e bashkëpunimit mes shteteve dhe largimi nga politikat nacionaliste të së shkuarës, që kanë sjellë luftëra dhe tragjedi. Edhe njohës të çështjeve politike në vendin fqinj ndajnë mendimin se “Mini-Shengeni”, nuk do të jetë i suksesshëm nëse do të kufizohet në pjesëmarrësit aktualë. Arsimi Sinani nga Qendra për studime ndërkombëtare dhe hulumtime ballkanike, citohet nga Radio Europa e Lirë të pohojë se çdo nismë që do të përjashtonte apo nuk do të përfshinte të gjithë shqiptarët do të jetë e dështuar. Vënien e saj në jetë, sipas tij, e vë në pikëpyetje edhe hezitimi I Malit të zi dhe Bosnje Hercegovines.
Ndërkohë, partitë politike ne vend thonë se mbështesin çdo nismë rajonale që ka për qëllimin afrimin e shteteve dhe forcimin e bashkëpunimit mes tyre për lehtësimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, por sipas tyre prioritet kryesore duhet të mbetet angazhimi për anëtarësimin në strukturat euroatlantike.
Top Channel