Diaspora shqiptare do vazhdojë të japë ndihmën e saj për Shqipërinë, pas tërmetit të 26 nëntorit, sidomos në rindërtimin e zonave më të prekura.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti sot në një takim përfaqësuesit e Këshillit Koordinues të Diasporës, që u konstituua ditën e djeshme, dhe i falenderoi ata për gjithçka kanë bërë në ndihmë të Shqipërisë gjatë emergjencës që solli tërmeti i nëntorit. Veliaj theksoi nevojën për të shtuar edhe më shumë bashkëpunimin në fazën e rindërtimit të zonave më të dëmtuara nga lëkundjet sizmike.

“Më vjen mirë që e kemi nisur me vrull, mëngëpërveshur për të bërë gjëra konkrete në secilën prej fushave ku kemi talent. Sot kemi talente të biznesit, të Akademisë dhe të jetës sociale, dhe do të doja që në secilën prej këtyre shinave, treni i bashkëpunimit të ecë përpara, që t’i shohim dukun këtij organizimi. Falë arkitektëve që erdhën nga Amerika, kemi një ide të qartë se çfarë duhet shembur e rindërtuar dhe çfarë mund ta meremetojmë me kosto të ulët. Falë kësaj ndihme kemi kuptuar se kur na duhet një strehim i përkohshëm, ku duhet investim më afatgjatë për strehimin dhe ku duhet bërë rikonceptim i hapësirave urbane, për të mos përsëritur ndër shekuj e vite gabimet e të kaluarës”, tha Veliaj.

Ai vuri theksin tek shmangia e efekteve negative që mund të sjellë tërmeti, sidomos në ekonominë e zonave të prekura, ndaj ftoi përfaqësuesit e diasporës se përveç investimeve në ringritjen e shtëpive dhe infrastrukturës së zonave të prekura, është e rëndësishme edhe ndërmarrja e nismave që rrisin ekonominë. “Sfida që kemi sot, pas tërmetit fizik, të mos kemi edhe një tërmet ekonomik. Ndaj, jo vetëm jam i kënaqur që jeni në Tiranë këtë fundvit, do të thotë se po flini në këto hotele, po shpenzoni, por besoj se është momenti për të bërë një ftesë: Nëse duam të ndihmojmë rimëkëmbjen e këtyre tre qarqeve, Tiranë, Durrës, Lezhë, duhet të konsumojmë, shpenzojmë dhe investojmë, si mënyra e vetme për të shmangur tërmetin ekonomik”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se Shqipëria nuk ka kohë për të humbur, por duhet të mësojë nga gabimet dhe eksperiencat që vendet e tjera përreth saj. “Do të ishte mëkat nëse nuk mësojmë nga gabimet e të tjerëve. Duke parë se edhe rreth nesh, në Greqi, Itali, situatat e tërmetit jo vetëm që kanë zgjatur me vite, por për rimëkëmbjen ekonomike janë dashur dekada. Është mirë të mësojmë sesi fqinjët i kanë menaxhuar këto kriza dhe pastaj më të mirët e shqiptarëve kudo që janë në botë, të jenë pjesë e sistemit të menaxhimit. Ju jam shumë mirënjohës, është një bekim i vërtetë që jo vetëm u takuam, por mezi pres që fara që kemi mbjellë sot të lulëzojë diçka me përfitim për Kombin tonë”, tha Veliaj.

Shqiptaro-amerikani Mark Gjonaj, Këshilltar në Këshillin Bashkiak të Nju-Jorkut, theksoi se diaspora shqiptare është me Shqipërinë në këto momente të vështira, për t’i ardhur asaj në ndihmë dhe për të ringritur zonat e prekura nga tërmeti. “Diaspora e ka treguar veten gjithmonë. Është e gatshme dhe vazhdon të jetë, për dashninë që kemi për këtë vend dhe popullin tonë, të ardhmen tonë, të punojmë së bashku për të mirën e vendit”, tha Gjonaj.

Biznesmeni shqiptar nga Maqedonia, Lazim Destani falenderoi kryebashkiakun Veliaj për pritjen, ndërsa shprehu vullnetin për të bashkëpunuar dhe për të ndihmuar mbi të gjitha në ringritjen ekonomike të zonave të prekura dhe punësimin e të rinjve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA