Gjashtë fëmijë të familjes Ibro nga fshati Nikollarë i Bashkisë Çorovodë prej fillimit shkollor nuk kanë bërë asnjë ditë shkollë, arsyeja se mësuesi në këtë zonë është në mungesë.
Për shkak të thellësisë së fshatit tashmë në të jetojnë vetëm tre familje një prej të cilave është familja Ibro me gjashtë fëmijë. Fshati është totalisht i izoluar dhe nuk ka rrugë makine, lëvizja e këtyre banorëve nëpër qëndrat më të banuara bëhet vetëm me kafshë.
Edhe grupi i xhirimit të Fiks Fare udhëtuan me kuaj deri në fshat për të marrë shqetësimin e familjes Ibro. Ku gjyshi i fëmijëve të mbetur pa shkollë tregon për nipërit dhe mbesat e tij. Ai ka dy djem të cilët kanë nga tre fëmijë secili . Më parë fëmijët studionin në Berat falë të ardhurave që siguronin baballarët e tyre, tashmë këta të fundit akuzohen për trafik të lëndëve narkotike ku njëri ka përfunduar në burg dhe tjëtri në kërkim.
Në këto kushte fëmijët u rikthyen në fshatin Nikollarë tek gjyshi. Fëmijë janë një në klasë të tetë, dy djem në klasën e katërt dhe tre të tjerët në klasë të parë. ” Kanë katër muaj që nuk kanë bërë asnjë ditë mësim dhe jemi shumë të shqetësuar se nuk duam t’i lëmë pa dije” shprehet gjyshi i fëmijëve.
Ai Pohon për Fiksin se i është drejtuar Bashkisë Çorovodë dhe kjo e fundit u ka çuar banka mësimore , por për shkak të largësisë së fshatit ende asnjë mësues nuk ka pranuar të shkojë të punojë në Nikollarë. Fëmijët nga ana tjetër për mikrofonin e Fiksit pohojnë se nuk duan të mbeten pa shkollë.
Gazetarët e Fiksit pyetën pranë Zyrës Arsimore Çorovodë në lidhje me problematikën e familjes Ibro, pasi arsimi 9- vjeçar është edhe një detyrim ligjor. Përgjegjësi i kësaj zyre pohon për Fiks Fare se janë dy variante për tu mundësuar arsimimin këtyre fëmijëve. ” Një është që fëmijët të strehohen në konviktin e shkollës këtu në Çorovodë, por meqë tre janë shumë të vegjël kemi hallin nëse mund të rrinë me të mëdhenjtë.
Kurse varianti i dytë është që të dërgojmë një mësues që është vetofruar të jetojë dhe t’u japi mësim fëmijëve ” shprehet përgjegjësi i zyrës arsimore. Madje ai tregon se është gjetur edhe një banesë në fshatin Nikollarë që të jetojë mësuesi bashkë me bashkëshorten dhe qiranë e kësaj banese do e paguaj Bashkia e Çrovodës.
Më në fund falë Fiks Fare edhe këta gjashtë fëmijë si gjithë fëmijët e tjerë do të marrin dije, edhe pse jetojnë në një vend të izoluar.
Top Channel