Manovra të rrezikshme me makinë! Arrestohet 30-vjeçari i shpallur në kërkim për vjedhjen e supermarketit në Memaliaj

20/12/2019 13:29

Një person i shpallur në kërkim për vjedhje dhe kalim të paligjshëm të kufirit është arrestuar në Tiranë.

Pas informacionit se në rrugën “Teodor Keko” një automjet po bënte manovra të rrezikshme, forcat policore janë vënë në ndjekje. Edhe pse drejtuesi i mjeti theu rregullat e qarkullimit, nuk mundi të largohej, pasi u prangos nga shërbimet e Policisë Rrugore.

Nga verifikimit rezultoi se shtetasi D. C., 30 vjeç, ishte i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Tepelenë, pasi dyshohet si autori i vjedhjes së një supermarketi në Memaliaj , në nëntor të 2019, si dhe për kalim të paligjshëm të kufirit, shpallur në kërkim nga Policia Kufitare e Korçës, e cila e ka ndëshkuar me masë administrative 100.000 lekë, të cilën ky shtetas nuk e ka paguar.

Njëkohësisht, ky shtetas u ndëshkua edhe me masë administrative nga ana e shërbimeve të Policisë Rrugore për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugore.

Top Channel