Tre persona të konsideruar me rrezikshmëri të lartë shoqërore janë arrestuar në Fier, ndërkohë që u janë sekuestruar 2 armë zjarri, municion luftarak, 2 armë të ftohta dhe 1 makinë e blinduar.
Kështu, ranë në pranga Sh. K., 33 vjeç, banues në Fier, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje; A. B., 35 vjeç, banues në Fier dhe R. L., 20 vjeç, banues në Fier.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga strukturat e DVP Fier, në fshatin Çlirim, Fier, në mjetin e blinduar Audi A8, i cili drejtohej nga shtetasi R. L., poshtë sediljes së parë të pasagjerit, ku ishte ulur shtetasi Sh. K., u gjetën dhe sekuestruan 2 armë zjarri tip pistoletë dhe 2 krehëra me 24 fishekë.
Gjatë kontrollit personal, shtetasit R. L. iu gjet dhe sekuestrua një mjet prerës (thikë), që e kishte në çantën e dorës. Gjithashtu, gjatë kontrollit personal të ushtruar ndaj shtetasit A. B., u gjet dhe u sekuestrua një mjet prerës (thikë).
U sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 pistoleta, 2 krehëra me 24 fishekë, 2 mjetet prerëse dhe automjeti i blinduar Audi A8. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Fier, për veprat penale “Armëmbajtje pa leje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Top Channel