Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i cili synon të udhëheqë me qeverinë e re të Kosovës, ka thënë se marrëveshja për bashkëqeverisje me LDK-në është e mundshme dhe e nevojshme.
Ai ka thënë se me siguri do të ketë takime me Isa Mustafën.
“Me siguri që do të ketë takime, të mos kemi takime është e pamundshme, marrëveshja është e mundshme, marrëveshja është e nevojshme, sepse qytetarëve u nevojitet ajo , mirëpo këto nuk janë lajme. Kur t’i kemi rezultatet konkrete, kur ta kemi marrëveshjen me elementet e saj përbërëse që i bashkëngjitet harmonizimit programor do të mund të kemi se çka të themi”, ka thënë Kurti para gazetarëve sot.
Albin Kurti i Vetëvendosjes, parti kjo që doli fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, po synon të ndërtojë institucionet me Isa Mustafën e LDK-së që dolën partia e dytë në zgjedhje, por ende nuk kanë arritur një marrëveshje.
Ata nuk janë takuar që nga dita e shtunë e javës së kaluar. Mospajtimet e tyre janë rreth pozitës së kryetarit të kuvendit dhe presidentit./G.Kadrija/Kosovapress
Top Channel