Riskun më të madh për aeroportin e Vlorës do ta mbajë buxheti i shtetit përmes parave të taksapaguesve. Qeveria ka marrë përsipër t’i garantojë kompanisë koncesionare rreth 140 milionë euro të ardhura të sigurta në 10 vitet e para nga trafiku i pasagjerëve dhe buxheti i shtetit.
Pra nëse aeroporti rezulton me trafik të ulët pasagjerësh dhe koncesionari nuk arkëton 140 milionë euro për dhjetë vitet e para, atëherë buxheti i shtetit i paguan kompanisë diferencën.
Tenderi për aeroportin e Vlorës është hapur pa një studim të mirëfilltë fizibiliteti. Ministria e Infrastrukturës ka përdorur një studim të kontraktuar 2 vjet më parë nga Autoriteti i Aviacionit Civil për ndërtimin e një aeroporti në jug të vendit, pa përcaktuar vendin konkret. Sipas Ministrisë, ky studim është përditësuar dhe specifikuar për aeroportin e Vlorës.
Konsulenti i pajtuar thotë se projekti ka risqe të larta dhe parashikon një normë të ulët kthimi rreth 9.23 për qind. Për këtë arsye Qeveria ka marrë përsipër ta mbështesë koncesionin nga buxheti i shtetit, sipas një formule që i garanton kompanisë private minimalisht 140 milionë euro të ardhura në 10 vitet e para në çdo skenar. Edhe atëherë kur aeroporti dështon dhe trafiku i pasagjerëve është i ulët.
Ndërsa në rast se aeroporti do të rezultojë i suksesshëm atëherë, kompania private mban 186 milionë euro të ardhura në 10 vitet e para dhe çdo e ardhur mbi këtë nivel ndahet gjysmë për gjysmë mes privatit dhe buxheti të shtetit.
Megjithatë ky skenar është një limit mbi të cilin do të garojnë kompanitë në tender, pasi nëse një kompani kërkon më pak të ardhura të garantuara ajo merr më shumë pikë në gara.
Kjo është hera e dytë që qeveria tenton të japë me koncesion ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Hera e parë u tentua me një konsorcium të tre kompanive turke, të cilat kërkuan 70 milionë euro subvencion nga buxheti, por kjo nuk u pranua. Këtë herë qeveria ka marrë përsipër të paguajë subvencion, por shuma e saktë e parave që do të paguajë buxheti është në varësi të trafikut që do të ketë aeroporti, pasi sa më shumë pasagjerë aq më pak paguan buxheti dhe anasjelltas.
Klodian Tomorri
Top Channel