PPE godet paketën anti-shpifje: Kthim serioz prapa, frenon lirinë e medias dhe të drejtën e informacionit!

19/12/2019 17:35

Zyrtarë të Partisë Popullore Europiane, anëtare e së cilës është edhe Partia Demokratike, u shprehën me tone të ashpra për paketën antishpifje të miratuar një ditë më parë nga shumica në Kuvend.

“Ne vërejmë me shqetësim të thellë që shumica parlamentare e qeverisë shqiptare e udhëhequr nga Kryeministri socialist miratoi dy ligje për median dje në kundërshtim të hapur me rekomandimet specifike të bashkësisë ndërkombëtare. Komisioni Evropian, Këshilli i Evropës, si dhe media dhe organizatat shqiptare dhe ndërkombëtare të shoqërisë civile kishin shprehur kundërshtime të forta kundër këtyre ligjeve. Ne vërejmë se anëtari ynë i PPE-së, Partia Demokratike, shprehu rezistencë të fortë kundër miratimit të këtyre ligjeve dhe mbështet rekomandimet evropiane dhe ndërkombëtare”, deklaroi Michael Gahler, Koordinator i PPE-së për Punët e Jashtme.

Ndërsa David Lega, Raportuesi i PPE-së për Shqipërinë I cituar nga BW, paralajmëroi se liria e mediave dhe e drejta e informacionit janë liritë themelore në Europë dhe një pjesë e domosdoshme e kritereve të Kopenhagës për anëtarësimin në BE.

“Legjislacioni i miratuar kërcënon këto liri që janë fituar kohë më parë nga populli shqiptar. Media e lirë ka qenë një reporter i vazhdueshëm i abuzimit të pushtetit dhe ka ekspozuar shumë skandale të korrupsionit. Miratimi duhet të shihet si një kthim pas serioz për Shqipërinë në rrugën e saj drejt sundimit të ligjit dhe demokracisë. Ky vendim, siç e thamë publikisht përpara votimit, mund të ketë një ndikim negativ në hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE për Shqipërinë – në të cilën Grupi i PPE beson fuqimisht. Ne i nxisim autoritetet shqiptare të rishqyrtojnë vendimin dhe ta kthejnë atë”, kanë qenë fjalët e tij.

Top Channel