Miratimi i “anti-shpifjes”/ Të rinjtë protestë para Kryeministrisë

19/12/2019 11:56

Organizata “Rezistenca Rinore” është organizuar sot në një tubim para kryeministrisë si shenjë protestë për miratimin e paketës “anti shpifje”.

Paketa u miratua dje në Kuvend e cila ka shkaktuar shumë debate ditët e fundit midis gazetarëve dhe mazhorancës socialiste.

82 deputetë dhanë votën e tyre për paketën për të cilën kryeministri Edi Rama thotë se do të luftojë lajmet e rreme dhe shpifjet në median online, ndërsa gazetarët e konsiderojnë kapje dhe kontroll mbi median.

Vetëm 13 deputetë u shprehën kundër kësaj pakete, 5 abstenuan dhe 5 deputetë nuk morën pjesë në votim.

Me paketën e re, Autoriteti i Mediave Audiovizive merr kompetenca për gjobitjen dhe deri në mbylljen e portaleve nëse gjykon se kanë publikuar shpifje apo lajme të rreme. Gazetarët argumentojnë se AMA nuk mund të marrë kompetenca që i takojnë gjykatës.

Tashmë do të jetë Presidenti i Republikës që do të vendosë nëse do e dekretojë ligjin apo do e rikthejë për shqyrtim në Parlament.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel