Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj sërish ka bërë thirrje në formimin sa më të shpejtë të institucioneve të Kosovës, derisa ka theksuar se përgjegjësia mbi dështim bie mbi Lëvizjen Vetëvendosje dhe liderin e tyre, Albin Kurti.
Sipas Haradinajt, partia e tij nuk do të përfshihet në bisedat mes VV-LDK për formimin e Qeverisë dhe se do të qëndrojnë jashtë diskutimeve për emërimin e presidentit në vitin 2021.
“Ne jemi parti opozitare, AAK nuk bënë pjesë në bisedat dypalëshe LDK-VV. Në princip, nuk është kjo me ia vështirësuar njërës palë, por barra vjen mbi mandatarin të krijojë qeverinë. Temat që ndërlidhen me të, gjendet alternativa apo formula, sipas përvojës, barra bie mbi partinë fituese me i gjet formulat, me i akomodu pritjet e partnerëve. Aleanca nuk obligohet nga diskutimet dypalëshe të tyre. Jemi parti në veti, kemi pikëpamjet tona, nuk kemi pikëpamje tash për këtë temë sa i përket presidentit, qëndrojmë jashtë. Është në përgjegjësinë e VV-së dhe zotit Kurti, atij i bie barra. Kuptohet palët mund të kenë kërkesa nganjëherë të ndryshme, ai që është mandatar e ka këtë privilegj me i mandatu ato”, tha ai./E.Zeqiri/Kosovapress
Top Channel