Orkestra e Operas së Parisit, bën një performancë të rrallë para se edhe ajo ti bashkohet protestës kundër reformës së pensioneve. Muzikantët e operas së Parisit kanë performuar në shkallët e operas Bastijë, në Paris, para se ti bashkoheshin protestuesve.

Nëse doni të ruani shkëlqimin e operas së Parisit, nëse doni të gjeni staf dhe artistë të aftë e talentuar, ky sistem pensionesh duhet të vazhdojë – thonë ata dhe me këtë në mendje i janë bashkuar grevës për të mbrojtur statusin e tyre special që u garanton edhe dalje të hershme në pension.

“Ne  përballemi me probleme shëndetësore. Mua personalisht më janë prekur veshët. Disa të tjerë kanë dëmtime në tendina, etj. Ne kemi një regjim special prej 350 vitesh, një regjim që merr në konsideratë shkëlqimin e këtij profesioni në vite”.

Të dy operat e Parisit, ajo Garnier dhe e Bastijës, kanë anuluar dhjetëra performanca, çka u kushton atyre miliona euro të humbura në shitje biletash.

Në fakt, janë me qindra e mijëra protestuesit në Francë, që edhe të martën mbushën rrugët duke kundërshtuar reformën e sistemit të pensioneve që synon të mbledhë shumë skema të ndryshme në një të vetme. Mësuesit, punonjësit e spitaleve dhe punonjës të tjerë publik, i janë bashkuar punonjësve të transportit, Edhe kulla Eiffel ka qëndruar e mbyllur për shkak të protestës dhe policia ka qenë në gadishmëri të lartë.

Në grevë janë edhe kompanitë energjitike dhe në kuadër të protestës, rreth 50 mijë shtëpi afër bordosë dhe 40 mijë në Lion, kanë kaluar natën pa energji elektrike. Për më tepër, gjithçka po ndodh para festave të fundvitit, duke shqetësuar shumëkënd. Tregtarët, pronarët e hoteleve dhe restoranteve, veçanërisht në Paris, thonë se greva ka dëmtuar aktivitetet e tyre me disa që raportojnë deri në 60 për qind humbje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA