Janë tre kandidatë që kanë aplikuar për të qenë në krye të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Altin Dumani, Arben Kraja dhe Edvin Kondili kërkojnë të drejtojnë strukturën e re që do të ketë objekt të punës së saj hetimin e niveleve të larta të krimit të organizuar, por edhe të pushtetarëve të përfshirë në korrupsion.

Edvin Kondili, siç Top Channel mëson nga burimet jo zyrtare tregon vizionin e tij për drejtimin e SPAK, duke i kthyer prokurorët në një skuadër që do hetojë në unitet. Ndërkohë, pretendenti tjetër për kryeprokuror në SPAK , Arben Kraja premton, sipas burimeve, kushte pavarësie për prokurorët që do hetojnë krimin dhe korrupsionin me sekretin se çelësi i suksesit do jetë bashkëpunimi me ndërkombëtarët.

Altin Dumani, gjithashtu një emër potencial për kryeprokuror në SPAK, ka bashkangjitur veç eksperiencës personale në hetimin e korrupsionit edhe strategjinë e tij që fokusohet tek hetimet proaktive.

Procesi i intervistimit me audio dhe video do të nisë në orën 09:30 me Altin Dumanin, për të vijuar më tej me Arben Krajën dhe Edvin Kondilin.

NJOFTIMI I KLP:

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në vijim të procesit të vlerësimit të kandidatëve për Drejtues të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. (SPAK), njofton se në datën 18.12.2019, në Sallën e mbledhjeve, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Blvd. “Zogu i I”,do të zhvillohen intervistat me të tre kandidatët në garë.

Intervistat me kandidatët do të regjistrohen me audio dhe video dhe do te zgjasi 30-45 minuta për secilin kandidat.

Orari i zhvillimit të intervistave do të jetë si më poshtë:

1. Altin Dumani 09:30

2. Arben Kraja 10:15

3. Edvin Kondili 11:00

Këshilli kërkon nga kandidatët të marrin masa për t’u paraqitur pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë në datën dhe orën e njoftuar.

Kandidatët do të njoftohen nominalisht dhe në adresën e postës elektronike që ata kanë deklaruar në momentin e aplikimit.

Top Channel