Nuk do të ketë më takime mes Albin Kurtit dhe Isa Mustafës deri pas këshillit të përgjithshëm të LDK-së.
Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti tha për “Kosova Press” se duhet parë nëse ky takim i thirrur nga Mustafa do të shërbejë për të betonuar qëndrimet e LDK-së apo për të arritur marrëveshjen për koalicion.
“…Lëvizja Vetëvendosje mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm mund ta mbajë pasi që ta kemi marrëveshjen për koalicionin qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ngelet të shihet sot pasdite se kjo mbledhje e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së a është thirrur për të betonuar qëndrimet me kërkesat e njohura tashmë apo është thirrur për ta arritur marrëveshjen mes nesh”
Sidoqoftë, kandidati për kryeministër, Albin Kurti u shpreh optimist për qeverinë e re.
“Besoj shpresoj e uroj që ashtu siç ka vendosur më 6 tetor ta kemi një qeveri të re nga opozita e deridjeshme në mënyrë që ta ç’kapim nga këta musharët shpërdorues të cilët janë shkaku kryesor i korrupsionit të lartë në Kosovën e pavarur. Pra, populli e do këtë ndryshim, unë jam i gatshëm për këtë ndryshim, kam garuar për kryeministër të ri kam fituar në zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje është fituese besoj se më parë që merremi vesh aq më mirë do jetë dhe më 26 dhjetor të shkojmë të përgatitur”.
LVV dhe LDK duan të krijojnë një koalicion qeverisës dhe kanë harmonizuar deri më tani programin qeverisës por nuk po mund të bien dakord për ndarjen e përgjegjësive dhe duket se pika e mospajtimit është posti i presidentit. E ndërsa paqartësia vazhdon, kryesia e kuvendit të Kosovës është mbledhur të mërkurën dhe ka rënë dakord që seanca konstituive të mbahet ditën e thirrur nga presidenti Hashim Thaçi, më 26 dhjetor, ora 15.00.
Top Channel