Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk është ndërprerë nga taksa. por nga rrezikimi i zhbërjes së shtetit të Kosovës nga ndryshimi i territoreve.
Pa njohjen reciproke mes dy vendeve, në kufijtë aktualë, nuk mund të ketë paqe në rajon, por luftë, tha ish-kryenegociatorja e bisedimeve me Serbinë, Edita Tahiri, në një konferencë të institutit demokratik të Kosovës.
“Dialogu nuk është ndal për taksën është ndal për çështjen që ke tu u rrezikuar Kosova. Një Kosovë që vështirësi e ka fituar të drejtën për pavarësi…Pa njohje reciproke mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë në kufijtë aktual nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme. Do të ketë luftë, siç i kemi mbrojtur 100 vjet i mbrojmë prapë”
Ish-deputeti nga komuniteti serb në Kosovë, Nenad Rashiq kërkoi largimin e taksës në mënyrë që të rinisë dialogu me Serbinë. Ai theksoi nevojën që serbët e Kosovës të inkuadrohen në procesin e këtij dialogu, teksa shtoi se idetë për ndryshimin e kufijve janë të dëmshme për gjithë rajonin.
“Jam absolutisht i bindur se po të kishte çfarëdo ndryshimi kufijsh do të krijonte një efekt zinxhiror në të gjithë rajonin, madje dhe më gjerë. Për këtë arsye mendoj se përgjegjësia e BE-së është dukshëm më e madhe se ne e shfaqim… Mënyra e vetme pra është dialogu…”
Që nga nëntori 2018, kur Qeveria Haradinaj vendosi taksën 100 për qind për mallrat serbe, dialogu me Serbinë është ndalur. Pala serbe kërkon fillimisht heqjen e taksës para kthimit në dialog ndërsa kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka këmbëngulur se taksa hiqet vetëm pas njohjes së Kosovës si shtet nga Beogradi zyrtar.
Top Channel