Nga janari i vitit 2020 në Kosovë do të vijnë ekspertë gjermanë për të ndihmuar në funksionalizimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
Kështu u bë e ditur nga ministri në detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismaili, dhe ambasadori i Gjermanisë, Christian Heldt, gjatë një konferencë për medie ku folën rreth zhvillimeve të fundit në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve për fuqizimin e Fondit të Sigurimit Shëndetësor.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka bërë të ditur se ka pranuar një letër zyrtare nga homologu i tij gjerman, Jens Spahn, përmes të cilës është njoftuar se shteti gjerman do të ofrojë ndihmë për Kosovën në krijimin e sigurimeve shëndetësore.
Ismajli tha se përmes kësaj marrëveshje në Kosovë do të vijnë ekspertë të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore gjermane AOK, të cilët do të ndihmojnë procedurat në fillimin e sigurimeve shëndetësore.
Falë kësaj marrëveshje me shtetin gjerman, ai tha se do të jetë në gjendje të fillojë funksionalizimi i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
Lidhur me sistemin e informimit shëndetësor, ministri Ismajli u shpreh se është në zhvillim e sipër dhe se shumica e qendrave mjekësore nëpër komuna janë digjitalizuar.
“Është një kënaqësi e imja e madhe që sot mund të konfirmoj se ajo përpjekje e gjatë ka rezultuar me sukses dhe se kam pranuar një letër nga ministri gjerman Spahn që ka konfirmuar se një nga Fondet e Sigurimeve Shëndetësore më të mëdha të Gjermanisë, të cilat janë publike dhe ka një traditë afro 130 vite me sigurime shëndetësore. AOK do të jetë në mbështetje të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, do të sjellë ekspertizë që nga janari i vitit të ardhshëm për të ndihmuar në procedurat dhe për të ndihmuar në fillimin e sigurimeve shëndetësore…Është një fond që do të ketë një sasi të madhe të parave publike dhe është tejet e rëndësishme që ne ta organizojmë me kualitet më të lartë që në këtë rast është nëpërmjet ekspertizës gjermane dhe të sigurohemi që Fondi i Sigurimeve Shëndetësore të mos krijojë borxhe sikurse në shtetet tjera, por të ofrojë shërbime shëndetësore dhe të mbuloj ë financiare për qytetarët tanë. Kjo do të arrihet përmes një ekspertize gjermane, e cila do të fillojë nga janari i ardhshëm dhe do të jetë hapi i fundit para fillimit të sigurimeve shëndetësore ”, tha ministri Ismajli.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt tha se kjo marrëveshje ka të bëjë me ndërtimin e kapaciteteve brenda Fondit të Sigurimeve Shëndetësore në “Pra, është për të ndërtuar kapacitete brenda fondit të sigurimeve shëndetësore dhe në këto trajnime do të përfshihet edhe mbështetja brenda vendit të punës që të ndërtohen kapacitete praktike gjithashtu të jepen këshillat rreth politikë-bërjes ndaj ministrisë dhe akterëve tjerë relevantë. Dhe siç ishte, pra, dëshirë specifike e ministrit që të ketë praktikues që vijnë dhe ndihmojnë Fondin. Pra, Ministria jonë e Shëndetësisë veç ka filluar me një nga fondet më të famshme të sektorit të shëndetësisë në Gjermani AOK-a…AOK-a është mjaft me ekspertizë, sepse po këta janë njerëz që pas thyerjes së murit (të Berlinit) ndërtuan Fondin e Sigurimeve të parë në pjesën lindore të Gjermanisë…Procesi pritet të fillojë në janar, mirëpo kërkon shumë përpjekje dhe punë dhe pjesa e parë e këtij procesi është se do të përcaktohet dhe do të mbulohet nga Ministria e Shëndetësisë së Gjermanisë duke përf shirë këtu edhe pjesën logjistike që do të mbështetet nga pala kosovare”, tha ambasadori Heldt.
Drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Fatmir Plakiqi duke e vlerësuar si një lajm shumë të mirë për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore tregoi se në cilat aspekte do të ndihmojë shteti gjerman përkatësisht Fondi i Sigurimeve Shëndetësore gjermane AOK.
“Është një lajm tepër i mirë dhe tepër me rëndësi për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore për fazën për të cilën ndodhemi ne përgjatë rrugëtimit dhe realizimit të shumë aktiviteteve dhe objektivave që i paraprinë ose që na përafrojnë drejt funksionalizimit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Ajo çka desha specifikisht të konfirmoj që ne do marrim mbështetje direkte në ngritjen e kapaciteteve të Fondit e kryesisht në definimin e sqarimin e statutit të të siguruarve, sqarimin në vlerë të kontributeve dhe të hyrave të Fondit, definimi i barnave që rimbursohen nga fondi, llojet e sëmundjeve të mbuluara dhe grupet që përfitojnë, analizimi i gjendjes mes të hyrave dhe shpenzimeve, sqarime rreth legjislacionit të Fondit, si dhe përfitimet e mundshme ose përfitimet, të cilat i gëzojnë pacientët tanë pas fillimit të hyrjes në funksion të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore”, u shprehet Plakiqi. /B.Ibishi/Kosovapress
Top Channel