Ka nisur mbledhja për përzgjedhjen e kreut të SPAK, ku po zhvillohet intervista e parë në KLP.
“Jemi në fazën finale të një procesi të gjatë. Do të përzgjedhim drejtuesin e SPAK mes tre kandidaturave”, tha Gent Ibrahimi, kreu i KLP në fillim të mbledhjes.
Altin Dumani i cili është i pari që po intervistohet ka shpalosur vizionin e tij.
“Promovimi i punës në grup, integriteti në punë, ruajtja e pavarësisë së prokurorëve, por duke e balancuar më pergjegjshmërinë, përgjegjshmëri për hetimin e çështjeve. SPAK do të jetë një strukturë e aftë, e besueshme nga shqiptarët. Përgjegjshmëria në trajtimin e çështjeve është thelbësore për SPAK. SPAK do të bëjë të mundur që çdokush që ka shkelur ligjin,kushdo qoftë ai do ndëshkohet. SPAK do të godasë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Në mbështetje të vizionit tim kam paraqitur një plan të detajuar funksional për funksionimin e këtij institucioni. Kjo prokurori do godas paligjshmërinë. Do bëjë të mundur një Shqipëri që kush shkel ligjin do të dënohet. Fokus i veçantë do jetë bashkëpunimi me qytetarët. Dështimi i Prokurorisë së Posaçme nuk do të jetë asnjëherë një vizion”, tha ai.
Dumani tha më tej se: “Duket organizuar puna sipas specializimeve që kanë prokurorët dhe duhet emëruar drejtuesi e BKH sa më parë. SPAK do të synojë të ketë në administratën e saj njerëz profesionist, me integritet të lartë. Do të jem shumë kërkues ndaj kritereve për përzgjedhjen e administratës. BKH duhet të ketë njerëz me integritet të mirë moral. Për këtë duhet joshje, dhe është pikërisht paga për të thithur në P. Posaçme, ekspertët më të mirë. Na është premtuar se kategoria e pagave do jetë në nivel të kënaqshëm. Unë do mëshoj shumë për të gjetur ekspertë të motivuar, që duan të punojnë e nuk kanë parësore anën financiare. Ta shohin këtë institucion si parësor. Ky vend ka njerëz të tillë, shpresojmë të thithim këtë kategori. Pas zgjedhjes së kreut të BKH, fokusi do të kaloj te zgjedhja e pjesëtarëve të BKH”.
I pyetur për pikat e forta dhe të dobëta të tij ai tha: “Vlerësoj maksimalisht të dy kolegët që kandidojnë. Besoj se pika ime e fortë është eksperienca 20 vjeçare në luftën kundër krimit të organizuar. Kam kaluar mbi 4000 dosje ku jam përballur me gjithë ngjarjet e mundshme në gjithë territorin.Karriera ime është fokusuar në luftën kundër krimit të organizuar, e kam demonstruar këtë, kam qenë drejtues i Krimeve të Rënda. Këmbëngulja ime për t’i shkuar gjërave deri në fund pavarësisht vështirësive dhe ngarkesave. Kam qenë 9 vjet i mbrojtur nga policia e shtetit por kam vazhduar pa u trembur nga presionet”.
Si pikë të dobët Dumani përmendi menaxhimin e kohës: Menaxhimi i kohës, dëshira dhe grinta, fokusohem sa harrohem në punë, dhe harroj të tjerët që privohen nga koha që ata duhet t’i kushtojnë familjes.
“Në vizionin tim kam shprehur mendimin tim për marrëdhëniet me publikun, në faqen e SPAK do të ketë një aneks për ankesat nga publiku. Puna e SPAK do të jetë në qendër të vëmendjes së medias dhe publikun. Koordinatori për media do të qartësojë publikun për detyrat e SPAK. Pres që media të jetë kritike, pasi do ta vlerësoj për përmirësimin e prokurorisë“, tha Dumani më tej.
Por si do jetë skema e renditjes sipas Dumanit në rast të një fluksi të lartë pune?
“Pritet një fluks i lartë pune në SPAK me një numër të kufizuar prokurorësh. Kujdesi i parë është ngarkimi i panevojshëm SPAK me lëndë të panevojshme për natyrën e saj. Prioritetet do të ndahen sipas seksioneve: prokurorë për hetim korrupsionit dhe prokurorë për hetim të krimit të organizuar sipas specializimit te tyre. Gjithë struktura do të jetë e specializuar dhe të bashkëpunojë për një qëllim: përfaqësimi sa më i plotë i çështjes. Drejtuesi do të jetë në vijën e parë të hetimit, në çështje shumë të rëndësishme, të vështira, pa hequr dore nga drejtimi i institucionit. Me krijimin e BKH teknika e hetimit do të përdoret më intensivisht“, tha Dumani.
I pyetur se kur do të ketë rezultate konkrete, Dumani u shpreh: “Pritshmëria e publikut është e drejtë. Plotësimi i administrimit të SPAK do të kërkojë kohën e nevojshme sepse ata do t’i nënshtrohen vetingut. Por vlerësoj se ky grup prokurorësh mund ta bëjnë ndryshimin. Shoh prokurorë të motivuar dhe rezultatet do të vijnë. Unë besoj fort se pas 3 vite ky vend do të ketë një strukturë funksionale me rezultate të prekshme”
Pyetje nga komuniteti ndërkombëtar: Drejtuesi i SPAK cakton dosje prokurorisë të SPAK sipas specializimeve të tyre. Si do ta ushtroni ju këtë kompetencë?
“Në planin tim kam parashikuar këtë mënyrë. Drejtuesi do të udhëzojë shpërndarjen e çështjes në mënyrë të barabartë, por sipas specializimit të prokurorisë. Nuk jam për të shmangur shortin, të gjithë janë të motivuar për të kryer detyrën e tyre. Do të jem si roje për të parë përmbushjen e detyrimeve, duke respektuar pavarësinë e tyre. Unë mendoj se pavarësia duket të lidhet me pergjeshmërinë. Parimi është që çështjet të ndahen me short për secilin prokuror“, tha Dumani.
I pyetur nga Michell Lacomy, OPDAT se cila është mënyra më e mirë për të inkurajuar bashkëpunimin midis prokurorëve të SPAK, Dumani u përgjigj: Në kulturën time të drejtimit, ky ka qenë qëllimi im kryesor, t’i bëj prokurorët të ndihen pjesë e çështjes në çdo etapë të saj. Në vitin 2004 kur unë isha njëri nga zv drejtuesit e prokurorisë së krimeve të rënda, ne vendosëm një traditë që unë e kam ndjekur besnikërisht . Në momentet kur do vendosej se do ndërhyhej me aplikimin e një mase sigurimi, bëhej një tryezë diskutimi në të cilën merrnin pjesë drejtuesi i prokurorisë së krimeve të rënda, unë si zv drejtues i krimeve të rënda, prokurori i çështjes si dhe oficerët e policisë së shtetit në varësi se nga vinte referimi“.
Kush do ta drejtojë SPAK? Altin Dumani i pari që intervistohet
Top Channel